E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë orë xhirime me çiklistët e Gjergj Xhuvanit

• Mëngjesi është i zhurmshëm në Kinostudio, aty ku qetësia mposht muret e lashtë dhe korridoret e gjatë e të ftohtë.

ANILA MEMA

Në katin e dytë të ndërtesës, nuk është një nga ato ditët e zakonshme siç ndodh rëndom, që rrallë dëgjon hapa! Regjisori Gjergj Xhuvani dhe grupi i tij i xhirimit të filmit të ri “Lindje, perëndim, lindje”, kanë “pushtuar” për pak ditë këto ambiente, të  shndërruara në një Ministri Kulture, Rinie e Sporti, si ato të vitit 1990. Një banderolë e madhe e kuqe “Lavdi PPSH”, mbulon fundin e korridorit dhe po aty ndodhet dhe busti i Enverit. Nuk ka se si të mos mungojë. E ndesh shpesh ashtu sikurse dhe fotografinë e Ramiz Alisë, edhe brenda zyrash, që mbajnë sipër mbishkrimet komuniste, “Sekretari i Partisë”, “Shef i kuadrove”, “Shef i kulturës”, “Shef i financës”, “Zyra e Inspektoratit”, “Bashkimet Profesionale”, “Shef i sporteve”, “Biblioteka”!
* * *
Çaku i parë u dëgjua paraditen e djeshme për filmin e ri të regjisorit Xhuvani, një bashkëprodhim shqiptaro-italo-maqedonas. Një film bazuar mbi skenarin e bashkëshkruar nga Dhimitër e Gjergj Xhuvani si dhe me konsulencën e një ish-çiklisti, skenaristit Jani Duri. Dubla e parë, e shoqëruar edhe me gotën e shampanjës, u xhirua dje në atë korridor të gjatë e të heshtur! Mandej pasuan të tjerat, pasuan personazhet, ca zyrtarë të Ministrisë së Sporteve, që zbojnë heshtjen me hyrje-daljet e tyre! Ora kalon 11:10 minuta, kur zëri i trashë i regjisorit dëgjohet në sfond, qetësi - motor - aksion! Nga zyra e kulturës del një mesoburrë me syze e kostum ngjyrë blu. Trajektorja që ndjek është thjeshtë korridori. E realizon shumë mirë dublën e parë, por për siguri, rixhirohen dhe dy të tjera. Një tjetër nëpunës i ministrisë, nga zyra e financës, me dosje në dorë, del duke veshur xhaketën, po ashtu edhe Andoni, një tjetër nëpunës i zyrës së Inspektoratit, teksa fik cigaren në tavllën aty pranë, hyn në zyrën e zëvendësministrit. Janë minuta xhirimesh që kapin më shumë se tri orë për t’u xhiruar! Ana teknike e filmit realizohet nga pala italiane, e përbërë nga pothuajse 15 vetë, ndërsa nga pala shqiptare 25. Sipas bashkëproducentit italian, Francesko Tagliabue, krahas atij shqiptar Arben Tasellari, materialet teknike kanë ardhur nga Italia për xhirimin e filmit. “Ndërsa Gjergji do t’i japë freskinë e kinemasë shqiptare këtij filmi”, thotë producenti.
* * *
Pushimi i drekës nuk zgjat shumë. Skena e radhës së xhirimeve ndodh në zyrën e zëvendësministrit të Sportit, interpretuar nga aktori Petrit Malaj. Është një episod, ku një ish-kampion i garave çiklistike, Ilo, interpretuar nga aktori i njohur Ndriçim Xhepa, merr një zarf urgjent nga Ministria e Sporteve, ku informohet për një garë çiklistike, e cila do të drejtohet nga ish-çiklisti. “Më në fund Evropa u kujtua për ne. Gjysmë shekulli me dyer mbyllur. Na vjen një ftesë nga Federata Evropiane e Çiklizmit dhe na fton të marrim pjesë. Do vemi, do vemi dhe do t’i tregojmë Evropës dhe botës se vërtet kemi qenë të mbyllur, por jo të vdekur. Ja ku kemi Ilon, ish-kampionin tonë të çiklizmit, para pesë apo 10 vjetësh. Eëë, Ilo?!”, thotë zëvendësministri (Petrit Malaj) duke iu drejtuar ish-kampionit, i ulur në një cep të zyrës së tij, i ndrojtur dhe plot emocione. “20 vjetësh”, ia beh Iloja me gjysmë zëri dhe më nuk dëgjohet të flasë. “S’besoj se ke harruar t’i japësh biçikletës. I shoshitëm kandidaturat dhe ramë dakord që ti të ishe trajner i ekipit shqiptar. I shikon këta burra, drejtorë, inspektorë. I shikon, i ke në dispozicion. Ti ga, këta - na”, thotë zëvendësministri, duke parë rreth e rrotull zyrës, ku nuk ka asnjë trofe në rafte. “Turp duhet thënë, duket sikur kemi jetuar kot”, i drejtohet Ilos: Ilo, po të drejtohem ty, ngarkohesh me një përgjegjësi të madhe, me një detyrë të shenjtë e patriotike. Na duhet një trofe. Na duhet një fitore, na duhet lavdia. Ndaj, kujdes Ilo, se pastaj në vend të derës së ministrisë ke për të parë derën e Lemës”. Është ky diskutimi që ndodh në zyrën e Ministrisë së Sporteve!
* * *
Filmi trajton historinë e pesë çiklistëve (Helidon Fino, Gentian Hazizi, Lulzim Zeqja, Ervin Bejleri dhe Fatjon Pustina) dhe trajneri i tyre (Ndriçim Xhepa) kanë shansin për të të prezantuar Shqipërinë në një garë çiklistike, që do të zhvillohet në Francë. Pesë shqiptarë që kanë ëndrrat e dëshira, të cilat shemben njëra pas tjetrës. Për shqiptarët që janë akoma të izoluar, kjo është një ngjarje e madhe, e cila do të zgjidhë shumë ëndrra. Megjithatë që kur mbërrijnë në Itali ata izolohen, në këtë kohë në Shqipëri shpërthejnë protestat, qytetarët hyjnë në ambasada. Shteti e humb funksionin. Kjo kohë për çiklistët e harruar, të braktisur, pa lekë, Perëndimi nuk është më një tundim. E vetmja mundësi për t’u kthyer në Shqipëri është kalimi i kufirit të Jugosllavisë me biçikleta, si një garë të cilën nuk patën mundësi për ta bërë në Francë. Do të xhirohet fillimisht në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, për gati një muaj e një javë, e më pas do të xhirohet në Trieste (Itali) e gjithashtu në Maqedoni. “Kemi vlerësim për Xhuvanin dhe jam shumë entuziast deri tani. Mendoj se në fund do dali një prodhim evropian. Aktualisht po merremi me një shpërndarës ndërkombëtar të madh në Londër, priten perspektiva shumë të mira”, shton producenti Tagliabue. Xhirimet sipas as-regjisorit Ermir Keta, do të vazhdojnë edhe disa ditë në Kinostudio, më pas në hotel “Sheraton”, pranë kodrave të Liqenit, në Zall-Herr...

Në zyrën e një zëvendësministri partie

Quhet Ilo! I veshur me një xhaketë me kuadrate të vegjël, ngjyrë gri, një palë pantallona po gri, të cilat nuk i arrijnë deri te këpucët dhe një këmishë me vija të kuqe. Ka ardhur herët në sheshxhirim, pavarësisht se dublat e tij për episodin e katërt në film, takimin me zëvendësministrin e nisi pas orës 15:30 minuta. Ka bërë grimin dhe është gati për t’u futur në rol. Por ka kohë. Bashkë me të edhe zëvendësministri i Sporteve (Petrit Malaj), i veshur me një kostum ngjyrë blu, kravatë të kuqe. Pinë nga një kafe pranë tavolinës së vendosur në një cep të korridorit. Është herët ende për ta. Xhirimin e parë e kanë së bashku, në zyrën e këtij të fundit.
Si është një zëvendësministër sporti, e veçanërisht vendosur në vitin 1990?
Petrit Malaj: Zëvendësministri që unë luaj, nga pamja e parë është një njeri më se normal, por në marrëdhëniet që krijon me stafin dhe me personin që ka thirrur aty, (rol që e luan Ndriçimi), për t’i dhënë një detyrë të madhe patriotike, të lavdishme, të domosdoshme për të korrur fitore të nesërmen e kësaj dite, që më shumë se një kërkesë është një urdhër për atë detyrë patriotike. Por i vendosur në vitin ’90, mund ta shohësh në dy plane. Ka pasur njerëz që kanë botën e tyre, por që janë të detyruar të veprojnë në një mënyrë apo tjetër brenda logjikës së sistemit. Ka pasur dhe ekstremitete. Bashkë me regjisorin kemi biseduar që këtë figurë ta trajtojmë si një njeri që ka bërë dhe punën, por është njeri normal si gjithë të tjerët, por vetë misioni që ka si zv.ministër ai imponohet tek të tjerët, nuk të fal kollaj.
Si e pret Ilo këtë urdhër?
Ndriçim Xhepa: Propozimi për Ilon ka të papriturën e vet, çudinë, ka habinë, ka pikëpyetjen e madhe se si ka mundësi shteti të thërrasë Ilon për të përfaqësuar vendin në pozicionin e trajnerit, një ish-çiklist, kampion të harruar tashmë. Një njeri pa ndonjë pozicion të respektueshëm apo të vlerësueshëm në vitet ‘90, kur edhe zhvillohet filmi. Është i panjohur për mua dhe kjo është dhe e veçanta kryesore e këtij roli. Me të tillë profil, me portretizimin e njeriut të sportit, kaloj dashje pa dashje në situata komplet të tjera, nga personazhet që unë kam interpretuar deri tani. Një e veçantë e rolit është që më është dashur të mësoj edhe triciklin si motor. Makinës kam ditur t’i jap prej shumë e shumë vitesh, motorit nuk më ka pëlqyer. Nuk e kam pasur të vështirë për ta mësuar. Unë nuk e di se sa interesant dhe i këndshëm do të jetë roli në fund, por nuk besoj se do stonoj të paktën në të dhënit e triciklit.

Filmi

Titulli: Lindje, perëndim, Lindje
Regjia: Gjergj Xhuvani, asistent Ermir Keta
Skenari: Dhimitër, Gjergj Xhuvani dhe Jani Duri
Producent: Arben Tasellari, Francesko Tagliabue
Aktor: Ndriçim Xhepa, Helindon Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Fajton Pustina, Romir Zalla, Petrit Malaj, Irsa Demneri, Nela Lucic, Orjon Halili
Piktor: Durim Neziri 
Cast: Irvin Muçaj,
Sabina Budina, Soela Zani, Redi Treni, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›