E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia Skela, i mbaruar në Serie A, lider në Bundesligë

• Skuadra italiane Askoli e la të lirë mesfushorin shqiptar Ervin Skela janarin e kaluar. Nuk i duhej më.

Fantazistin e mori skuadra gjermane Energi Kotbusit, një transferim që për kritikët linte për të dëshiruar. Që në javën e parë të kthimit të shqiptarit në Bundesligë, ai u përball me problemet shëndetësore. Analizat konfirmuan se ai vuante nga sëmundja e verdhëzës. Ai u rikuperua shpejt dhe i dha shtytje skuadrës të mbijetojë, ndonëse me statusin e një lojtari në hije. Tashmë pas një viti ai është shndërruar krejtësisht dhe nuk shikohet më me dyshim, përkundrazi. Ai është kthyer një hero i vërtetë për Kotbusin. Skela në tre ndeshjet e fundit ka shënuar katër gola radhazi, me vlerën e nëntë pikëve për ekipin e tij. “Skela është shndërruar në garantues i sukseseve të Kotbusit”, shkruan gazeta gjermane “Bild”, të dielën. Nga vendi i fundit, i 18-i, Kotbusi është ngjitur në të 14-in. Organizatori shqiptar ka shënuar dy gola kundër Hertës (2-1), një kundër Duisburgut (1-0) dhe të shtunën ka shënuar gol nga penalltia kundër Arminia Bielefeldit (1-0). Kotbusi ka thyer rekordin e klubit me tri fitore rresht të shënuara në Bundesligë. Skela, edhe pse po kalon një formë të shkëlqyer, prapë nuk i harron shokët e skuadrës. “Komplimente gjithë skuadrës. Nëse vazhdojmë kështu, nga ne pritet shumë. Të gjithë po luajmë shkëlqyeshëm dhe po zhvillojmë lojë të mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Mua ndërkohë më është krijuar hapësira që të tregoj vlerat në fazën ofensive. Për këtë falënderoj shokët e ekipit”, ka thënë Skela, pas fitores fundjavën që kaloi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare këtë edicion është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e Kotbusit. Ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 5 asiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›