E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e pensioneve lë minatorët pa bukë

• KUKES – Dosja e hapur për përfitim të padrejtë të pensionit të minatorëve ka pezulluar marrjen e parave deri në fund të hetimit.

Ish-minatorët, të cilët 5 mijë lekëshin mujor e kanë të vetmen të ardhur janë mbledhur për të protestuar para Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, dega Kukës. Ka 4 muaj që Auditi i brendshëm në këtë drejtori ka nxjerrë me probleme dosjet e përfitimeve dhe të pensioneve të ish-minatorëve. Më së shumti është prekur një kategori e veçantë e tyre, që ka fituar një trajtim të veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2000, kur u mbyllën ish-minierat dhe u vendos që, minatorët, të cilët kanë punuar nën tokë në galeri për më shumë se 11.6 vite dhe në tërësi 23 vite punë të marrin trajtim të veçantë ose pension të parakohshëm, me një shumë prej 5 mijë lekësh të reja në muaj, derisa të dalë në pension të plotë. Por kontrollet e bëra kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh dhe qindra pensione janë pezulluar. Disa prej përfituesve janë bindur se, nuk kanë të drejtë, por shumë të tjerë që pretendojnë se, u takon ky përfitim janë në dyert e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Kukësit, në pritje të rimarrjes së presionit dhe nisjes së protestave. Një prej tyre është Shani Matmuja një ish-minator nga fshati Përbreg, i cili qan përpara derës së sigurimeve. Me një qeleshe në kokë dhe më një fizik të rënduar nga puna në vite, në galeritë e minierës së Gjegjanit. Ai është i pafuqishëm të rrijë dhe në këmbë. “Nuk kam ngrënë bukë prej tre ditësh se nuk kam asnjë lek”, shprehet 54-vjeçari. E shoqja është e papunë dhe ndonëse ka punuar 18 vite në galeri sot nuk ka asnjë lek për t’u ushqyer e mbajtur familjen.       j.h

Drejtori: Pezulluam 250 përfitues

Përballë kësaj situate, drejtori rajonal i Sigurimeve Shoqërore, Mirdash Hoxha thotë se problemi është mjaft i njohur, pasi veç minatorëve dhe të tjera kategori kanë rezultuar me përfitues të padrejtë. “Kemi 6 muaj që kemi nisur kontrollet dhe tani jemi në fund të tyre. Në Kukës, Has e Tropojë janë rreth 560 përfitues të tillë. Vetëm në Kukës e Has janë pezulluar 250 përfitues”, pohon Hoxha. “Ka shumë korrigjime në regjistrat e punës për vendin e punës, ka vite më pak se sa thotë ligji. Dokumentacioni i tyre është se kanë punuar nën 15 vjeç, kur dihet se nën 18 vjeç nuk lejohej të punohej. Në dy minierat e mëdha ka parregullsi, pasi për Gjegjanin nuk ka as listë pagesa. Deri tani rezulton se kemi mjaft problem dhe do kemi shumë ndërprerje pensionesh. Shpresojmë zgjidhjen e shpejtë, pasi në sportel shkojnë bashkë një ish-minator që ka lënë djersën dhe gjakun në minierë dhe një tjetër që nuk e ka parë minierën me sy”, deklaron ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›