E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle Mbyllni qetesisht procesin elektoral

Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle u ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri të finalizojnë në mënyrë të qetë e konstruktive procesin elektoral. Duke iu drejtuar sesionit të tretë të komitetit të përbashkët parlamentar BE- Shqipëri në Bruksel, Fyle ka kujtuar se ndasitë e thella politike si ato që vazhdojnë në Tiranë, dëmtojnë funksionimin e demokracisë dhe progresin e mëtejshëm ekonomik.

Sipas tij, mesazhi i letrës që kreu i Këshillit të Europës i ka drejtuar kryeministrit Berisha nuk mund të jetë më i qartë, dialog i hapur dhe reformë mbi Kodin Elektoral për të cilën do të kërkohet një opinion në Komisionin e Venecias, që situata të ngjashme me të ashqtuajturat votat e hedhura gabim, të mos përsëriten.

“Kjo mund të arrihet vetëm nëse palët politike dhe ju politikanët që përfaqësoni popullin shqiptar gjeni një rrugë për të dialoguar së bashku dhe për ta marrë vendimet e nevojshme në interes të vendit dhe të qytetarëve”, ka kërkuar Fyle.

Dhe sipas komisionerit europian, ka prova të qarta nga e kaluara që vendi dhe politikanët e tij janë në gjendje të arrijnë progres. Ai përmendi implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dhe liberalizimin e vizave si suksese që tregojnë aftësinë e Shqipërisë për të bërë përpara në rrugën europiane, kur ekziston vullneti politik. Puna për 12 prioritetet e BE-së nuk ka përfunduar ende dhe për fat të keq, sipas Fyles, beteja elektorale ka devijuar energjinë e domosdoshme për këtë qëllim.

“Por unë dua të besoj se puna e bërë nuk ka shkuar dëm, pasi ndiejmë nevojën të kthehemi në punë për implementimin e axhendës së reformave nëse duam që Shqipëria të bëjë progres në rrugën e saj të integrimit europian”, përfundoi Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Takimi i tretë ndërparlamentar Shqipëri-BE, i drejtuar nga Eduard Kukan dhe Fatos Beja do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë në Bruksel. Delegacioni i parlamentarëve shqiptarë përbëhet nga 7 deputetë nga majta dhe po aq nga e djathta. Në fokus të debateve janë 12 prioritetet e vendosura nga Brukseli detyrë qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Gjovalin Kola Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 15 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›