E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Në nëntor, gati opinioni për statusin kandidat

Komisioni Evropian do t'i referohet plotësimit të kriterit politik gjatë hartimit të opinionit


Opinioni do t'u dërgohet edhe vendeve anëtare të BE-së dhe Këshillit të Ministrave


BRUKSEL-Në kushtet kur Bashkimi Evropian po kërkon me ngulm zgjidhjen sa më parë të krizës politike nga liderët politikë shqiptarë, të cilët ende nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, Komisionari për Zgjerimin Evropian Shtefan Fyle bëri të ditur dje se Komisioni Evropian do të paraqesë opinionin e tij mbi Shqipërinë për përftimin e statusit të vendit kandidat në muajin nëntor të këtij viti.


Fyle e specifikoi një gjë të tillë pas takimit të Këshillit të Stabilizim -Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi mbi përfitimin e statusit kandidat nga ky i fundit.


Opinioni mbi Shqipërinë dhe Malin e Zi, sipas kryekomisionarit, do t'u paraqitet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Ministrave në muajin nëntor. Vendet anëtare të BE-së dhe Këshilli i Ministrave do të shqyrtojnë opinionin që do të paraqesë Komisioni Evropian dhe më pas do të japin edhe sugjerimet e tyre përkatëse.


"Po, është në fakt parashikimi i punës dhe qëllimi i Komisionit Evropian që t'u prezantojë vendeve anëtare, Këshillit, opinionet për të dy vendet, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, në të njëjtën kohë, si pjesë përbërëse e paketës mbi Zgjerimin, që ju me të drejtë e përmendët nëntorin, siç parashikon kalendari",- tha dje Fyle kur u pyet nëse Komisioni do të paraqiste në të njëjtën kohë opinionin e tij për Shqipërinë me opinionin që do të publikohet për Malin e Zi.


Megjithatë, paraqitja e opinionit në muajin nëntor, siç e parashikon edhe kalendari i Komisionit Evropian sëbashku me raport- progresin mbi ecurinë e përgjithshme të Shqipërisë përgjatë këtij viti, do të mbështetet edhe mbi vijimin e situatës aktuale politike në vend.


Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe vetë komisionarin për Zgjerimin Evropian, kanë bërë të qartë se hartimi i opinionit për marrjen e statusit kandidat nga vendi ynë, do të kryhet mbi bazën e kritereve të Kopenhagenit, ku kriteri thelbësor është ai politik, pa të cilin opinioni mund të paraqitet me një vlerësim negativ për gjendjen politike në Shqipëri.


Gjithashtu, edhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Bashkimin Evropian në mbledhjen e tij të para dy ditëve në Luksemburg, kërkoi zgjidhjen sa më parë të krizës politike, si kusht për integrimin në BE. Po sipas përfundimeve të këtij Këshilli, theksohet se Shqipëria duhet të zbatojë në kohë Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit.


Ndërsa vihet në dukje se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të bëhet në përputhje me Traktatin e Bashkimit Evropian dhe kriteret e Kopenhagenit.


Për të pasur një opinion sa më pozitiv për Shqipërinë duhet të përmbushet kriteri politik, i cili deri më tani nuk është plotësuar për shkak të krizës politike dhe për këtë arsye, Komisioni Evropian në publikimin e opinionit për Shqipërinë në muajin nëntor do të ketë parasysh edhe gjendjen politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›