E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvaret në breg të detit një 50-vjeçar

Policia bëri të ditur se Shpëtim Agolli dyshohet të ketë kryer aktin nga depresioni pas divorcit


DURRËS - Mëngjesin e djeshëm një burrë është gjetur i vetëvarur në një pistë në breg të detit, teksa policia bën të ditur se shkak për këtë veprim të tij ishte rënia në depresion. Në trup viktimës nuk iu gjet asnjë dokument, përveçse një 100-lekëshi. Viktima kishte përdorur rripin e pantallonave për të realizuar vetëvarjen.


Policia e njoftuar nga banorët që kishin dalë për të bërë vrap në këtë zonë bregdetare ka ardhur dhe pasi ka kryer veprimet e para hetimore e ka dërguar në morg viktimën. Më pas janë bërë përpjekjet për identifikimin. Fillimisht është menduar se ai do ishte nga ndonjë qytet fqinj, por më pas kanë mbërritur në polici disa persona të cilët kanë bërë verifikimin në morg duke e identifikuar viktimën si Shpëtim Agolli, 50 vjeç.


Fqinjët e mbërritur në morg janë shprehur se nuk e kishin parë të kthehej në shtëpi. Sipas tyre, 50-vjeçari ishte i ndarë nga bashkëshortja dhe ajo bashkë me fëmijët jetonin në Itali. Pas fqinjëve është marrë dhe dëshmia e të afërmve të Agollit, që kanë deklaruar identitetin e plotë të viktimës. Pas kësaj policia ka bërë të ditur se "gjatë orëve të para të mëngjesit u gjet i varur në lagjen 1 Durrës një shtetas i paidentifikuar.


Rreth orës 11:20 nga të afërm të tij u bë identifikimi i shtetasit në fjalë me gjeneralitete si më poshtë: viktima ishte Shpëtim Agolli, vitlindja 1960, banues në lagjen 1 Durrës, i divorcuar, me dy fëmijë". Policia ka deklaruar se po vazhdon punën për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj vetëvarjeje, por paraprakisht mendohet se shkaku kryesor ka qenë depresioni për shkak edhe të gjendjes së vështirë që po kalonte 50-vjeçari pas divorcit dhe vetmisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›