Rama: I gatshëm të takohem me Berishën

Kryetari i Partisë Socialiste, shprehu dje gatishmërinë për t'u takuar me Kryeministrin për të zgjidhur krizën politike
"Berisha, mos mbaj peng të kutive, vizat, daljen nga kriza ekonomike dhe rrugën e integrimit"
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje gatishmërinë për t'u takuar me kryeministrin, Sali Berisha, për të zgjidhur krizën politike. Gjatë një komunikimi për mediat nga selia rozë, kryesocialisti, i pyetur nëse është i gatshëm të ulet në tavolinë me kreun e mazhorancës në rast të një ftesë prej tij, theksoi se është "gjithmonë i gatshëm".
Gjithashtu, në daljen e djeshme, lideri i selisë rozë shprehu "mirënjohje të veçantë për apelin e fundit lëshuar gjatë mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri".
"Falënderoj në emër të opozitës të gjithë shtetet anëtare, përfaqësuesit e të cilëve në këtë moment vështirësie kolosale për ekonominë e eurozonës gjetën kohën e mundësinë për të biseduar edhe mbi krizën shqiptare", tha Rama. Ky fakt, sipas tij, nuk është asgjë tjetër veçse shprehja më kuptimplotë e nivelit të lartë të shqetësimit që kriza shqiptare ka arritur në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, ai theksoi se ky është një rast i duhur për të shprehur sërish, gatishmërinë e Partisë Socialiste e të opozitës së bashkuar për zgjidhjen e krizës politike përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar dhe kompromisi që ngrihet mbi parimin më të rëndësishëm për çdo demokraci funksionale, të drejtën e një populli për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një e drejtë e cila, siç nënvizoi kreu i PS, është e pandashme nga e drejta e zgjedhësve për transparencën e procesit zgjedhor.
"Duke gjykuar edhe momentin tejet delikat që kalon Shqipëria e zhytur në krizë të shumanshme që po rrënohet institucionalisht dhe ekonomikisht dita ditës, vendit i duhet medoemos zgjidhja e kësaj krize për moszvarritjen e mëtejshme të liberalizimit të vizave dhe mosdështimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe prandaj unë dëshiroj të bëj një tjetër apel për Sali Berishën", theksoi lideri i opozitës.
Duke iu referuar deklaratës së ministrave të Jashtëm të BE, Rama apeloi ndaj kreut të mazhorancës që të "mos i mbajë vizat, daljen nga kriza ekonomike dhe vetë rrugën evropiane të integrimit, peng të kutive të korrupsionit elektoral, që veç korrupsionit pjell e të gënjeshtrës së madhe të zgjedhjeve të shkuara që veç gënjeshtra prodhon me sasi përditë e më të mëdha duke i lënë shqiptarët pa zgjidhje".
"Mjaft kohë ka humbur Shqipëria e shqiptarët duke mbetur të fundit në rajon. Mos ji pengu i atyre kutive të së shkuarës, që mban peng ngjarjet e zgjidhjet që presin qytetarët e këtij vendi për të ardhmen", drejtoi thirrjen kryetari i Partisë Socialiste
ZGJIDHJA
"Ne kërkojmë zgjidhje për problemet dramatike që ka vendi sot. Këto zgjidhje sigurisht i kërkojmë përmes shprehjes së vullnetit politik në procesin e një marrëveshje kompromisi, që i hap rrugë transparencën si prerogativa e të gjitha atyre që vijnë pas, në rrugën e përpalljes me krizën e shumanshme e sfidën e gjithanshme", u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.
ZGJIDHJA
"Qasja jonë është publike, transparente dhe e qëndrueshme për një zgjidhje që është triumfi i interesit publik dhe jo fitore e një pale mbi një palë tjetër. Një zgjidhje që është garanci për të gjithë qytetarët dhe jo alibi për secilën nga palët.
Një zgjidhje që i duhet sot Shqipërisë, që sot Shqipëria të çlirohet më në fund nga kufijtë ku mbetet e mbyllur si e fundmja në rajon", nënvizoi Rama.