Përkrahësit e Topit shpallin partinë, kryetari në vjeshtë

Komisioni nismëtar i FRD, dje gjatë prezantimit
Zyrtarizohet FRD. Oketa: Profili ideologjik do të jetë qendra e djathtë.
Të pranishëm: Oketa, Biberaj dhe ish-zv.ministri Ristani.
Pak metra larg selisë së Partisë Demokratike u krijua sot zyrtarisht Fryma e Re Demokratike. Ish-deputetë dhe ministra të PD-së u mblodhën në pallatin e Kasmëve për të prezantuar para publikut dhe medias krijimin e një force të re politike, e cila, siç tha edhe kryetari i komisionit nismëtar, ish-zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, do të jetë e pozicionuar në qendrën e djathtë. Pallati i Kasmëve, një godinë katërkatëshe përballë Parlamentit, ishte dje më e populluar se çdo ditë tjetër. Dhjetëra qytetarë dilnin dhe hynin në shkallën pranë një dyqani elektronik dhe të gjithë i drejtoheshin katit të katërt, aty ku pak minuta më vonë do të mbahej edhe mbledhja e parë e FRD-së. Për pak sekonda u duk sikur FRD-ja do të kishte jo një, por dy deputetë, teksa deputeti i Librazhdit, Rrahim Çota, u pa të dilte nga njëra prej zyrave të katit të dytë. Por, siç u kuptua shumë shpejt, ai u largua nga godina duke lënë të kuptohej se zyra e tij nuk kishte asnjë lidhje aspak me ato të dy kateve më lart. Rreth 20 minuta përpara se të niste mbledhja e komisionit nismëtar, qytetarëve iu tërhoq vëmendja kur nga bokset e vendosura në ballkonin e katit të katërt nisën të dëgjohen këngë të lehta qytetare. Për tu ngjitur deri në katin e katërt nuk ishte aspak e lehtë. Dhjetëra qytetarë kishin minuta të tëra që kishin zënë vend në sallën kryesore të partisë, por më të shumtë ishin ata që rrinin në korridor. Në këtë mbledhje të parë binte në sy prezenca e ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, ish-drejtori i Burgjeve, Sajmir Shehri, ish-zv.ministri i Transporteve, Stavri Ristani dhe ish-deputeti demokrat Sali Shehu. Por nuk kaloi pa u vënë re edhe mungesa e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi dhe ish-zv.kryeministrit Rexhep Uka. Në orën 12:00 u prezantua edhe komisioni nismëtar, i cili, ashtu siç edhe ishte deklaruar më parë, do të kryesohej nga Gazmend Oketa. Pas tij në podium u ngjitën edhe Aleksandër Biberaj, Edlira Gjoni, Belma Muka dhe Andi Seferi. Sipas drejtuesve të FRD-së, lista e komisionit nismëtar do të vazhdojë të jetë e hapur. Pas Himnit Kombëtar, prezantimin shkurtimisht të programit e bëri ish-ministri i Mbrojtjes. Në përfundim të ceremonisë, një numër i madh qytetarësh iu drejtuan një prej 18 sallave të kësaj partie për të plotësuar formularët e anëtarësimit.
Oketa
Në deklaratën e parë si kreu i komisionit nismëtar, Gazmend Oketa tha se programi i kësaj partie do ti nënshtrohet një debati të lirë dhe do të miratohet në kuvendin e parë. Profili ideologjik i Partisë Fryma e Re Demokratike do të jetë qendra e djathtë, mishëruese e idealeve liberale. Fryma e Re Demokratike nuk pajtohet me vonesën në zgjidhjen përfundimtare të dramës së pronësisë, ashtu si edhe zvarritjen e procesit të integrimit shoqëror të ish-të përndjekurve politikë të periudhës së komunizmit, përfshirë këtu edhe dëmshpërblimin e tyre material, tha Oketa. Ai shtoi më tej se kryetari i partisë do të zgjidhet me parimin një anëtar, një votë dhe nuk do të ketë më shumë se dy mandate. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Oketa u shpreh se FRD-ja është e hapur edhe për deputetë të tjerë të Kuvendit që duan ti bashkëngjiten kësaj partie. Ai nuk pranoi ti përgjigjej pyetjes se çfarë qëndrimi do të mbajë kjo forcë në zgjedhjen e Presidentit. Ndërkohë që bëri me dije edhe një detaj tjetër, se Kuvendi i FRD-së, ku do të zgjidhet kryetari i ri, do të mbahet në vjeshtë. Grupi nismëtar është i ngarkuar që të bëjë të gjitha përgatitjet dhe misioni i tij përfundon me Kuvendin themelues të frymës së re demokratike, i cili normalisht parashikohet të mbahet në vjeshtën e këtij viti, tha Oketa.
Komisioni nismëtar
. Gazmend Oketa
. Aleksandër Biberaj
. Edlira Gjoni
. Belma Muka
. Andi Seferi
. Petrit Berhami
. Bardhyl Çeku
. Omer Stringa
. Sentiliana Barzezi
. Rezi Sina
. Roxhensa Allko
. Romina Mborja
FRD: Si të anëtarësoheni on-line
Në rrjetin social Facebook, Fryma e Re Demokratike ka bërë publike edhe rrugët se si mund të anëtarësohesh në këtë parti. Bashkohuni me ne në këtë mision. Të gjithë së bashku për të ngjallur shpresën. Klikoni linkun dhe plotësoni formularin për tu anëtarësuar në partinë tonë. http://frd.al/pub/forma-frd.pdf. Mënyra si ta dorëzoni: 1. Plotësoni formularin, printojeni, firmoseni dhe dorëzoje pranë zyrës qendrore. 2. Plotësojeni, printojeni, firmoseni, skanojeni dhe dërgojeni me e-mail tek: anetaresim@frd.al. 3. Së shpejti edhe versioni online. Ndërkohë, në formularin e anëtarësimit një prej pyetjeve është nëse qytetari që do të anëtarësohet është anëtar i ndonjë partie tjetër. Nëse ai është anëtar i një force tjetër politike, me plotësimin e këtij formulari ai heq dorë nga anëtarësimi i partisë tjetër.
Mustafaj: Unë jam simpatizant i FRD-së
Në radhën e parë të mbledhjes së komisionit nismëtar të Frymës së Re Demokratike ishte edhe Besnik Mustafaj. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, një nga themeluesit e kësaj partie, ka aktualisht teserën e PD-së dhe vazhdon të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar. Por, prezencën e tij në themelimin e një partie rivale të PD-së, Mustafaj e kaloi shumë shkurt, duke thënë vetëm se unë jam simpatizant i partisë. Pas prishjes së miqësisë së hershme me Kryeministrin Sali Berisha dhe largimit nga posti i ministrit të Jashtëm, Mustafaj u kthye në një nga kritikët më të fortë të lidershipit të PD-së. Në vitin 2009 ai tentoi të hynte në garën për kryetar të PD-së së Tiranës, por u tërhoq pak ditë para votimit, duke akuzuar krerët e PD-së për manipulime me listat e delegatëve. Edhe në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të PD-së Mustafaj ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si po funksionon partia, madje kritika e tij e fundit ishte për faktin se Oketa nuk u zgjodh në Kryesinë e partisë.
Rexhep Uka: E kam lënë politikën
Ish-zv.kryeministri i PD-së në periudhën 1992-1994, Rexhep Uka, ishte një nga emrat më të përfolur si themelues i Frymës së Re Demokratike. Por, në mbledhjen e parë të kësaj partie ai nuk ishte i pranishëm. I pyetur për mungesën në këtë ceremoni, Uka tha se unë e kam thënë prej kohësh që e kam lënë politikën, po vazhdoj profesionin e agronomit dhe dhënien e mësimit në universitet. Rexhep Uka e fitoi mandatin e deputetit në vitin 2005 në qytetin e Pukës, por katër vjet më vonë ngeli jashtë listave të kandidatëve për shkak se ishte pjesë e grupit që mbështeti Bamir Topin si kandidat për President. Prej asaj kohe ai u tërhoq nga politika.Mungon edhe Aleksandër Meksi
Në ceremoninë e djeshme nuk ishte i pranishëm as ish-kryeministri i parë i Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi. Në disa dalje në publik ai ka qenë së bashku me Presidentin Topi dhe ashtu si Rexhep Uka, u përfol si një nga ish-zyrtarët e lartë të PD-së që do ti bashkohej partisë së re. Megjithëse u tërhoq nga politika që pas vitit 1997, Aleksandër Meksi u r
