Fyle Palet te zgjedhin kreun e shtetit dhe te plotesojne reformat

“Drejtori i përgjithshëm i zgjerimit, Sefano Sanino do të vizitojë së shpejti Tiranën, në mënyrë që të shohë nëse ne mund të bëjmë diçka për të arritur këtë kilometër të fundit për zbatimin e marrëveshjes së nëntorit, që përpjekjet të mos digjen dhe të gjendet një zgjidhje”. Një fakt i tillë u bë i ditur nga komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, i cili ka reaguar lidhur me proçesin e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, palët politike duhet të zgjidhin në frymë konsensuale një proces të tillë, me qëllim që të bëhet e mundur realizimi i reformave kyçe për integrimin në BE.
“ Jam duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri e veçanërisht proçesin për zgjedhjen e preidentit. Jam i ndërgjegjshëm për rëndësinë e afatit të 24 majit dhe gjithashtu atë që ç’ndodhi dhe ç’nuk ndodhi në 30 maj. E mbaj mend shumë mirë se ç’farë kam thënë gjatë vizitës time në Tiranë. Nëse nuk kishte marrëveshje përfundimtare për reformën zgjedhore dhe parlamentare në 24 maj, atëherë marrëveshja e nëntorit mund të kthehej në pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes. I takon forcave politike shqiptare, mazhorancës dhe opozitës të parandalojnë që kjo çështje të mos bëhet pjesë e problemit dhe që ta zgjidhin çështjen e presidentit në frymën e konsultimeve”, vuri në dukje Fyle.
Gjithashtu, komisioneri për zgjerimin shprehu gadishmërinë e tij për të kontribuar në mbarëvajtjen e reformave.
“Kishte angazhime të rëndësishme që u morën nga palët gjatë vizitës time në Tiranë për këtë dhe besoj, se palët do të bëjnë të pamundurën për të realizuar angazhimet që kanë marrë. Unë jam i gatshëm t’ju asistoj për këtë me çfarëdolloj ndihme”, nënvizoi Fyle, lidhur me një çështje të tillë.