Fyle: Shqetësim për vendimet e Kolegjit

Komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle, i bën apel klasës politike shqiptare të realizojë një reformë të thellë elektorale bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa ai cilëson zgjedhjet në Tiranë si jo të mira.
“Unë jam i shqetësuar për situatën politike që vijon pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe për shansin e humbur të Shqipërisë për të bërë progres thelbësor ndaj 12 prioriteteve kyce e sfidave për rrugën drejt Bashkimit Europian. Dua t`i theksoj 3 pikat në vijim, edhe në emër të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Cathy Ashton. Së pari, ne ndoqëm nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe do t`ju citoj qëndrimin që u është shpërndarë. Ne shënojmë me shqetësim se ka patur debat e polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira pasi treguan përtej dyshimeve se kuadri zgjedhor duhet reformuar”, deklaroi Fyle.
Një një konferencë për mediat, pas Këshillit të tretë të Komitetit të Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, komisoneri Fyle kërkoi që politika shqiptarë të verë interesat e vendit para atyre partiake për të realizuar reformat që do të mundësojnë integrimin në familjen europiane. Ai apeloi që opozita t`i rikthehet parlamentit.
Ndërsa Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto rikonfimoi edhe një herë se qeveria shqiptare është e gatshme për dialog e bashkëpunim me opozitën, në realizimin e reformave. Haxhinasto bëri të ditur se gjatë këtij takimi, u vlerësua zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga Shqipëria.