E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, SHBA, OSBE apel për dialog

19/07/2011  Paszgjedhjet, përfaqësuesit e diplomacisë takime të veçanta me krerët e PD-së e PS-së

Berisha: Gati për një bashkëpunim të bazuar në respekt të Kushtetutës dhe shtetit ligjor

Ambasadorët e akredituar në Tiranën zyrtare rimarrin takimet me drejtuesit e dy partive kryesore në vend. Periudha paszgjedhore pati sjellë bisedime të shpeshta mes përfaqësuesve ndërkombëtarë në vendin tonë dhe dy krerëve të PD-së e PS-së, e kjo në varësi të situatave që krijoi procesi i tejzgjatur për shpalljen e fituesit për Bashkinë e Tiranës. Kështu, nisur nga vetë situatë në të cilën arriti një proces i tillë, por dhe qëndrimet politike të deklaruara nga drejtuesit politikë lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili shpalli fitues për postin e kryebashkiakut kandidatin e PD-së Lulzim Basha, ambasadorët ndërmorën gjatë ditës së djeshme takime të posaçme me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe atë të Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha.

Takimi në PS

Ambasadori i Bashkimit Europian Etore Sekui dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart zhvilluan paraditen e djeshme një takim informal me kreun socialist Edi Rama. Nga selia rozë nuk u bënë publike detajet e këtij takimi, i cili zgjati më shumë se një orë. Megjithatë, nisur nga vetë situata në të cilën ndodhen zhvillimet politike, mësohet se pjesë e diskutimeve të ketë qenë atmosfera e krijuar pas shpalljes së kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Kjo pasi vetë drejtuesit socialistë kanë bërë publik qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Por bëhet e ditur se pjesë e bisedës të ketë qenë dhe bashkëpunimi për reformat në vend, e kryesisht atë zgjedhore. Kërkesë për të cilën vetë Rama kushtëzoi që ndërkombëtarët të shprehen publikisht për vjedhjen e bashkisë së Tiranës nga mazhoranca e më pas t’i hapej rrugë bashkëpunimit. Gjithashtu një tjetër detaj i këtij takimi ka qenë dhe letra e kreut të grupit kuvendor të PD-së Astrit Patozi në adresë të PS-së, ku kërkohej tryezë dialogu për reformën zgjedhore.

Takimi në Kryeministri

Axhenda e takimeve të ambasadorëve vijoi po dje me kryeministrin Sali Berisha. Kështu, pas takimit me kryetarin socialist ambasadori i BE-së Etore Sekui, zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Debora Jones dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Volfart iu drejtuan godinës së Kryeministrisë për të zhvilluar një takim të përbashkët me kreun e qeverisë. Përmes një njoftimi për mediet zyra e shtypit pranë kryeministrit bëri me dije se shefi i ekzekutivit i falënderoi tre ambasadorët për ndihmën dhe kontributin që vendet dhe institucionet e tyre japin në mbështetje të Shqipërisë dhe të reformave të gjithanshme në vend. Ndërkaq në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe perspektivat për të ardhmen. Kryeministri Berisha u rikonformoi ambasadorëve vendosmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të qenë tërësisht e hapur dhe transparente për të bashkëpunuar me opozitën për reformën elektorale dhe për të gjitha reformat në shërbim të integrimit dhe anëtarësimit në BE, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë. “Në këtë kontekst ishte edhe ftesa që iu dërgua opozitës nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Astrit Patozi, por pavarësisht se ajo mori përgjigje negative nga ana e opozitës ne mbetemi të hapur për një bashkëpunim të bazuar në respekt të Kushtetutës dhe shtetit ligjor”, - vuri në dukje kryeministri Berisha gjatë bisedës me ambasadorët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›