E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lene detyren drejtoret me te perfolur ne Bashki

19/07/2011  Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës vetëdorëhiqen nga postet e emëruara nga Rama

Letra e përbashkët e ish-drejtorëve: Drejtuesi i ri ska legjitimitet

Drejtorët e Bashkisë së Tiranës zgjodhën të vetëdorëhiqen nga postet e mbajtura deri më tani në këtë institucion. Vendimin e tyre ish-drejtorët e bënë publik përmes një deklarate për shtyp, ku me nota vlerësuese për ish-kryetarin e Bashkisë Edi Rama refuzojnë të punojnë në vijim me Bashën. Në gjykimin e tyre, kryetari i ri nuk gëzon legjitimitetin e duhur. “Në gjithë këta vjet pune pasionante, me përkushtim e profesionalizëm, falë një lidershipi frymëzues, kemi shënuar të gjithë së bashku rezultate të jashtëzakonshme, duke transformuar rrënjësisht kryeqytetin dhe krijuar një institucion publik të standardeve europiane, Bashkinë e Tiranës. Në këtë institucion kemi gjetur forcën për tu përballur me çdo sfidë të ndryshimit e zhvillimit të Tiranës, në radhë të parë falë faktit që na janë garantuar të gjitha kushtet për të punuar gjithnjë si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve, asnjëherë si rrogëtarë të zgjedhur përmes lidhjesh politike dhe të varur prej interesave e orekseve të politikës”, - thuhej në deklaratë. Fatkeqësisht, sipas tyre, nuk ekziston më as themeli moral mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. “Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik të tjetërsimit të vullnetit të tyre. Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin ti shërbejmë dhe me keqardhje për pamundësinë që të vazhdojmë punën nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji për të qëndruar në pozicionet tona si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit, ne i deklarojmë opinionit publik dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra”, - përfundonin qëndrimin ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë më parë kanë dhënë dorëheqjen dy nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri dhe Vali Bizhga, drejtoresha e kabinetit Belinda Balluku si dhe të gjithë anëtarët e kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Dritan Agolli - administrator i përgjithshëm

Majlinda Dhuka - drejtor i përgjithshëm

Sonila Qato - drejtor i përgjithshëm

Albana Koçiu - drejtor i përgjithshëm

Viola Haxhiademi - drejtor i përgjithshëm

Irfan Dashi - drejtor i përgjithshëm

Arben Seferaj - drejtor i përgjithshëm

Androkli Kokthi - drejtor i përgjithshëm

Pal Doçi - drejtor i përgjithshëm

Joana Bushi - drejtor drejtorie

Flutura Pulaci - drejtore drejtorie

Enton Punavija - drejtor drejtorie

Afrim Qendro - drejtor drejtorie

Kujtim Spahiu - drejtor drejtorie

Anila Shehu - drejtor drejtorie

Hantin Bonati - drejtor drejtorie

Ogerta Manastirliu - drejtor drejtorie

Migena Vishko - drejtor drejtorie

Julian Zanaj - drejtor drejtorie

Zyhdi Dajti - kryeinspektor i policisë bashkiake

Ardit Kaja - kryeinspektor i inspektoratit ndërtimor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›