E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, Meta takon përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës

TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një vizite pune në Gjermani, u takua me përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës në Bundestag.

Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se në këtë kuadër, z. Meta zhvilloi bisedime me z. Philip Missfelder, deputet dhe zëdhënës i CDU për Politikën e Jashtme në Bundestag.

Gjatë takimit z. Missfelder theksoi se Gjermania mbështet integrimin evropian të Shqipërisë si dhe ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të BE brenda vendit.

Z. Meta, pasi bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, theksoi se prioriteti ynë kryesor mbetet integrimi evropian, pavarësisht sfidave që vendet e BE-së po kalojnë aktualisht, duke shtuar se integrimi për shqiptarët është më i rëndësishëm se çdo popull tjetër në rajon, për shkak të izolimit të madh historik që vendi ka përjetuar në të kaluarën.

Meta u takua edhe me z. Dietmar Nietan, deputet i majtë, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Bundestag dhe zëdhënës për Evropën Jug-Lindore i partisë opozitare SPD. Z. Nietan, pasi u interesua për zhvillimet politike në Shqipëri, vuri në dukje se bashkëpunimi më i afërt i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, është në interes të vetë vendeve anëtare të BE-se.
Z. Meta theksoi se pavarësisht retorikave të tepërta konfliktuale, Shqipëria ka ruajtur stabilitet qeverisës dhe makro-ekonomik, duke vënë në dukje këtu se LSI do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në interes të stabilitetit të vendit, por edhe të rajonit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›