Fyle: Vendos populli serb kë do apo jo, në Qeveri

Komisioneri për Zgjerim në Komisionin Europian, Shtefan Fyle, duke komentuar vendimin e presidentit serb Tomisllav Nikolliç, se do t`ia japë mandatin kryesocialistit, Ivica Daçiç për formimin e Qeverisë së re, u shpreh se shpreson se Serbia të ndjekë edhe më tej rrugën europiane.
“Jam i kënaqur që kam parë hapat konkretë për formimin e qeverisë së re të Serbisë. Mendoj se iu përket qytetarëve të Serbisë të vendosin se kush duhet të jetë dhe kush jo në qeveri”, ka thënë Fyle.
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç ia dha sot mandatin kreut të partisë Socialiste, Ivica Daçiç për të formuar qeverinë e Serbisë.
Ai në një konferencë për gazetarë pas takimit me Daçiç ka thënë se, koalicioni SPS-PUPS-JS ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare.
Ai ka thënë se çfarëdo qeverie që të zgjidhet, ajo do të shkojë rrugës evropiane.