Fyle detyron Berishën të pranojë në takim Ramën
Përpjekjet e Ilir Metës për të ulur në një takim mes kryeministrit Berisha dhe Edi Ramës do të jap frytet vetëm ditën e diel. Burime nga dy partitë kryesore bëjnë me dije se ditën e nesërme do të organizohet një takim mes dy krerëve të PD-së dhe PS-së në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Por Metës i ka ardhur në ndihmë edhe Stefan Fyle. Mësohet se në selitë e dy partive ka ardhur një letër nga komisioneri i BE-së Stefan Fyle i cili u kërkon dy politikanëve të ulen në tryezë sa më shpejt për të gjetur një president konsensual. Ende nuk janë mësuar modalitetet e takimit ne fjale, i cili konsiderohet shume i rëndësishëm ne momentin qe palët ndajnë ende qëndrime te ndryshme për mënyrën sesi duhet te dale emri i kandidatit për kryetar shteti.
Letra e Fyles
E nisur dje, letra nuk dihet nëse ka mbërritur ende në destinacion, pasi kjo gjë nuk konfirmohet nga zyrat përkatëse në Tiranë. Por burime të Top-Channel në Bruksel konfirmojnë se mesazhet janë të njëjta me ato të përsëritura rëndom kohët e fundit nga Komisioneri për Zgjerim, në mënyrë që Shqipëria të rrisë shanset reale për një rekomandim për statusin kandidat këtë vjeshtë. Kërkohet në vijimësi frymë konsensuale dhe dialog mes palëve për të përmbyllur me sukses e pa vonesa të dëmshme reformën zgjedhore dhe parlamentare, si dhe për zgjedhjen e Presidentit, rrëfejnë burimet. Sipas të njëjtave burime, në letër përmendet edhe vizita e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino, i cili pritet të mbërrijë në Tiranë më 7 qershor, pas raundit të dytë, dhe në prag të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit, nëse ky proces nuk do të jetë mbyllur ende. Komisioneri Fule ka paralajmëruar disa herë se mosmbyllja e reformave të paketës së nëntorit para 24 majit, mund të kthehet në pjesë të problemit, e jo të zgjidhjes për çështjen e statusit.
Presidenti, takime intensive, Idrizi takon Oketën
Kanë nisur dje takimet intensive për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Pas takimit në selinë rozë mes kryesocialistit Edi Rama dhe kandidatit të mazhorancës Xhezair Zaganjori, ky i fundit është takuar në një lokal në Tiranë edhe me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi. Më pas, kreu i PDIU-së është takuar me ish-deputetin e PD-së, aktualisht përfaqësues i partisë Fryma e re demokratike, Gazmend Oketa. Takimi i cili u zhvillua në hotel Rogner është për të marrë mbështetje për kandidatin e mazhorancës Xhezair Zaganjori.
Sanino në Tiranë më 7 qershor, para
raundit të tretë të Presidentit
Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sanino, do të vizitojë Tiranën në 7 qershor. Vizita e Saninos në Tiranë është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Europian.
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, ditë më parë kishte paralajmëruar vizitën e Saninos në vendin tonë.
Drejtori i Zgjerimit Sanino rikthehet në Tiranë në kushtet kur procesi politik i reformave në vend është ndalur dhe dy palët nuk po gjejnë rrugën e konsesusit për çështjen e presidentit të ri. Komisioni Europian rekomandoi përfundimin e reformave, asaj zgjedhore dhe reformës parlamentare para 24 majit. Ndërkohë, që ky afat është tejkaluar të dyja këto reforma duken të bllokuara.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Sanino pritet të ketë takime me Berishën dhe Ramën si dhe me liderë të tjerë politikë.
Berisha: Po kërkojmë naftë në fshatin e Ramës
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, kryeministri, Sali Berisha ia ka dal mbanë të tërheq të gjithë vëmendjen e medias. Edhe pse në fakt u morën disa vendim jo shumë të rëndësishme për opinionin publik, Berisha i dha rëndësi duke përfolur kreun e opozitës. Bëhej fjalë për kërkimin e naftës në Shpirag, ku kompania Petromanas, do të kryej shpime në Mbreshtan, që Berisha tha se është fshati i Edi Ramës. Kjo kompani riktheu Shell në Shqipëri dhe shpresat për gjetje të mëdha nafte janë reale. Pusi i Shpiragut është pus i thellë mbi 6 mijë metra dhe optimizmi i Shell dhe Petromanas është sipas tyre, i bazuar dhe i madh, tha Berisha. Kryeministri shtoi më tej se Shqipëria gjithnjë e më shumë po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe në fushën e hidrokarbureve dhe për këtë do të realizohet infrastruktura për dy shpime. Për gazetarët të cilët nuk mund të mos pëlqejnë apo kërkojnë skupin edhe aty ku nuk është, dua të them se ky shpim ndodh e kjo rrugë ndërtohet pikërisht në fshatin e Edi Ramës. Fshat, të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë. Madje as nuk pranon se është nga Mbreshtani. Është një zonë shumë e bukur, me një shpat fantastik. Është një zonë me qershi e ullinj nga më të bukurat në Shqipëri. Piktori doli i dështuar, pavarësisht nga peizazhi atje, tha Berisha.