E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle në Maqedoni: Detyrimet të implementohen, jo në letër

Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fule nga Shkupi sot është i kënaqur nga plani aksional i miratuar nga Qeveria e Maqedonisë në kuadër të dialogut paraqasës të nivelit të lartë midis Maqedonisë dhe BE-së, por nënvizoi se tani me rëndësi është të punohet në implementimin e tij praktik.
 

Mesazhi i eurokomisionerit Fule ka qenë i qartë se plani aksional nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por duhet të implementuar. Ai këtë e theksoi sot në konferencën e përbashkët me kryeministrin Gruevski me rastin e takimit të dytë për dialogun paraqasës të nivelit të lartë midis Maqedonisë dhe BE-së.
 

Ai megjithatë u shpreh se është i kënaqur që sheh një dinamikë të re në vendosjen e axhendës evropiane në qendër të debatit publik.
"Konkluzionet e arritura në takimin e parë në mars janë plotësuar në të gjitha gjashtë pikat dhe kjo është me rëndësi. Jam i kënaqur nga miratimi i planit aksional nga ana e Qeverisë në muajin prill, por tani është me rëndësi që të punohet në implementimin e tij", theksoi Fule.
 

Sipas tij, hapja e bisedimeve paraprake është një qëllim i përbashkët i Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, ndërkohë edhe ritmi i reformave.
 

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se në takimin e sotëm ka shfrytëzuar rastin që të riafirmojë përcaktimin e fuqishëm të Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe për qëllimin e hapjes sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim.
 

Gruevski ka shtuar se në këtë takim është biseduar edhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit si dhe marrëdhënieve ndëretnike, përfshirë edhe vrasjen e fundit të pesëfishtë.
 

"Shoqëria multietnike maqedonase dhe institucionet e sistemit gjatë dhjetë viteve të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit treguan se kanë kapacitete për tu ballafaquar me sfidat e natyrave të ndryshme", theksoi Gruevski.
 

Në takimin e nivelit të lartë qeveritar kanë marrë pjesë edhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar përfshirë zëvendëskryeministrat Musa Xhaferi dhe Teuta Arifi.
 

Eurokomisioneri Fule paradite ka zhvilluar takime me deputetë dhe kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe aktorë të tjetër të politikës maqedonase.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›