Fytyra e vërtetë e komunizmit
Le të shikojmë vetëm se çfarë u bë në trevën e Malësisë. Ishte atëherë Komuna e Tuzit (deri më 1957). Dy nga tre kryetarët e parë të kësaj komune u dërguan në Goli Otok. Ishin këta Zef Preka Berishaj dhe Nuo Vuksani Junçaj. Sa dihet sot për ta? Nuk dimë as ne në Malësi. Nuk dimë as ne brenda Malit të Zi shumë për njëri-tjetrin. Sa di shqiptari i Ulqinit për shqiptarin e Malësisë dhe anasjelltas. Sa dimë ne në Malësi njëri për tjetrin?
Javën që shkoi, janë mbushur 60 vjet nga aprovimi i Rezolutës së Informbyrosë dhe njëkohësisht, nga themelimi i kampit të përqendrimit Goli Otok. Ky kamp është argumenti më i mirë se komunizmi dhe nazizmi janë vëllezër binjakë. Me një dallim, nazizmi nuk e ka fshehur diskriminimin ndaj pakicave etnike, fetare dhe gjinore. Madje e ka cekur bazimin e ideologjisë së vet mbi diskriminimin e njërit dhe favorizimin e grupit tjetër. Kështu që me nazizmin gjithmonë di se ku je. Mirëpo, çfarë të thuash për komunizmin i cili fshihej pas një maske të barazisë sociale dhe asaj etnike. Veçanërisht ka qenë i njohur për nga "humanizmi" komunizmi jugosllav. Këtë humanizëm veçanërisht e kanë shijuar shqiptarët në të gjitha trojet e veta etnike të ish-Jugosllavisë. Në këtë valë të terrorit janë vrarë pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit, 1944, Rifat Berisha dhe Xheladin Hana. Nga pjesëmarrësit e tjerë të konferencës, Qamil Luzha, Sabrie Vokshi, Qamil Brovina u burgosën. Të tjerët u detyruan të ikin në Shqipëri. Është e vërtetë se paskrupullsia e terrorit jugosllav në të gjitha trojet etnike shqiptare jashtë shtetit amë, më së shumti është identifikuar në Kosovë, për shkak të epërsisë etnike shqiptare, por edhe në trevat e tjera të banuara nga shqiptarët etnikë është zbatuar terrori i njëjtë. Ndoshta edhe më i vështirë, nga fakti se, p.sh. numri i shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë simbolik në krahasim me atë të Kosovës.
Për shqiptarët e trojeve etnike në Mal të Zi, kjo periudhë ishte edhe më e vështirë.
Le të shikojmë vetëm se çfarë u bë në trevën e Malësisë. Ishte atëherë Komuna e Tuzit (deri më 1957). Dy nga tre kryetarët e parë të kësaj komune u dërguan në Goli Otok. Ishin këta Zef Preka Berishaj dhe Nuo Vuksani Junçaj. Sa dihet sot për ta? Nuk dimë as ne në Malësi. Nuk dimë as ne brenda Malit të Zi shumë për njëri-tjetrin. Sa di shqiptari i Ulqinit për shqiptarin e Malësisë dhe anasjelltas. Sa dimë ne në Malësi njëri për tjetrin? Nuk dimë shumë sepse jemi të ndarë në klane dhe grupe të interesave fisnore, fetare dhe politike. Kur do të kemi fuqi të lirohemi nga gjurmët e ideologjisë komuniste dhe bartësit e saj të cilët edhe sot na diktojnë se çfarë duhet bërë? Kur do t`i bashkohemi civilizimit evropian, sepse, në këtë moment, ne vetëm territorialisht i takojmë këtij kontinenti, por jo edhe në kuptimin kulturologjik dhe civilizues? Kur do të çlirohemi si intelektualë, për fjalën e thënë, kur do të fillojmë të marrim frymë me gjoks të hapur? Përvjetori i themelimit të këtij kampi të përqendrimit është rast i mirë që ta testojmë veten se ku jemi.
Duhet t`i shënojmë faktet, ajo është historia jonë dhe duhet t`i shënojmë sa është ende koha. Kur të vdesin dëshmitarët e këtyre krimeve antishqiptare, do të zhduket edhe një pjesë e historisë sonë. Sepse, ndryshe nuk mund të vijmë deri te të dhënat. Edhe komunizmi, si çdo regjim anticivilizues dhe totalitarist, ka shikuar që të lërë sa më pak gjurmë të shkruara të krimeve të veta. Këto krime dhe emrat e viktimave duhet të shënohen sepse nga ato të dhëna (struktura etnike, religjioze, intelektuale etj.) mund të nxjerrim shumë konkludime të vlefshme për orientimin strategjik të asgjësimit të shqiptarëve në ish shtetin jugosllav. Është identifikuar në trevën e Kosovës, për shkak të epërsisë etnike shqiptare, por terror të njëjtë kanë pësuar edhe shqiptarët e trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi (Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës). Nuk çudit fati i ish-Jugosllavisë. Ajo ka qenë e destinuar të shkatërrohet, si edhe të gjitha shtetet e tjera artificiale. Ndoshta për dikë ky shtet ka qenë i mirëpritur, si një ombrellë nën të cilën e ka gjetur identitetin të cilin nuk e ka pasur deri atëherë, por për një komb i cili e ka pasur identitetin nacional, si shqiptarët, ky shtet ka qenë vetëm prolongimi i segregacionit etnik dhe kulturor filluar me hyrjen e këtyre trojeve nën pushtetin sllav pas 1912-ës.