Grabisin dy tregtarët e zarzavateve, në kërkim autorët
Vëllezërit Curroi janë kërcënuar me armë
Policia: Kemi identifikuar autorët e ngjarjes
Janë nisur nga Bulqiza në drejtim të Lushnjes për të marrë furnizim, zarzavate, por në dalje të qytetit të Milotit një automjet të tipit “Fiat Uno” u ka bllokuar rrugën dhe më pas dy persona të armatosur me automatik kanë grabitur një sasi të konsiderueshme lekësh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.30 të mëngjesit të djeshëm në rrugën nacionale të Milotit që e lidh me autostradën, kur vëllezërit Stefan dhe Alfons Curroi nga fshati Maqellarë i rrethit Dibër, kanë rënë pre e një grabitjeje të armatosur. Një gjë e tillë është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Lezhës, Liona Nika, sipas së cilës dy vëllezërit janë nisur nga Bulqiza në drejtim të Lushnjes (për të marrë furnizim, zarzavate), rreth orës 22.00 të së hënës, duke udhëtuar me automjetin e tyre, tip “Benz” - furgon.
Ndërkohë, nga ora 03.00 e mëngjesit, në dalje të qytetit të Milotit kanë konstatuar një automjet të tipit “Fiat Uno”, me ngjyrë të bardhë, me targa italiane, i cili lëvizte në drejtim të Milotit. Sipas hetimeve policore, rezulton se në momentin e shkëmbimit midis tyre, automjeti tip “Fiat Uno”, i ka dhënë sinjal furgonit që të ndalonte, por dy vëllezërit nuk kanë ndaluar dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Fushë-Milotit të rrethit Kurbin.
Sakaq, në afërsi të mbikalimit të superstradës Fushë – Milot, automjeti tip “Fiat Uno”, i ka bllokuar rrugën furgonit, dhe nga ky automjet kanë dalë tre persona të pamaskuar, ku njëri prej tyre mbante një armë automatike në dorë. Pasi kanë ndaluar furgonin, autorët kanë kërkuar që dy vëllezërit të zbresin nga furgoni. Policia tha se kur dy vëllezërit kanë zbritur nga furgoni, dy prej autorëve kanë hyrë në furgon duke marrë një sasi të konsiderueshme të parave që dy vëllezërit i kishin me vete për të bërë furnizim (zarzavatesh) në Lushnje, ndërsa autorët pasi kanë marrë lekët janë larguar duke mos ushtruar dhunë ndaj tyre.
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, policia ka ngritur grupin hetimor të cilët kanë ndërmarrë një sërë masash dhe kanë ushtruar kontroll në të gjitha zonat që përfshihen në rrethin e Kurbinit. Nika tha se gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar shumë persona, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen në fjalë. Nisur nga ky operacion, zhvilluar nga Komisariati i Policisë së Kurbinit, u bë i mundur bllokimi me cilësinë e provës materiale, i automjetit tip “Fiat Uno”, me targa italiane, ku sipas deklarimeve të marra nga dy vëllezërit e dëmtuar, rezulton të jetë mjeti me të cilët është kryer grabitja, gjithashtu policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve përgjegjës të kësaj vepre penale, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditur emrat e tyre.
Në Tiranë
Grabiten me thyerje 3 milionë lekë tek “GloBast”, arrestohen 4 autorët
Pas arrestimit të njërit prej autorëve të grabitjes së një lokali bastesh në kryeqytet, Armando Çopani, 22 vjeç, policia ka mundur të identifikojë dhe të vërë në pranga edhe tre autorët e tjerë të ngjarjes. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga burime zyrtare të policisë së Tiranës, sipas të cilave, Gentian Shehaj, 29 vjeç, i dënuar më parë për “Vjedhje me armë”, Emiljano Berisha, 22 vjeç dhe Besian Koka, 18 vjeç, të gjithë nga Tirana, u kapën menjëherë pasi kanë vjedhur me thyerje nga specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera. Sipas policisë, në orët e parat të mëngjesit të së hënës, dyshohet se në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë, kanë vjedhur me thyerje duke marrë shumën e parave prej 295.000 lekësh, brenda në ambientet e lokal “GloBast”, në pronësi të një personi. Ndërkaq, falë një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar përmes strukturave nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera, Patrullat e Përgjithshme, Shërbimet e Komisariatit të Policisë numër 3 Tiranë, të cilat arritën të kapën në flagrancë të sipërcituarit, ku ndaj tyre u mor edhe masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë, për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave prej 300.000 lekësh, 4 aparate telefoni celular, 2 palë doreza, 1 sharrë druri, 1 palë gërshërë metalike dhe 1 levë hekuri. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Aktualisht, nga grupi i hetimit për këtë çështje po punohet intensivisht për dokumentimin e aktivitetit kriminal të tyre, për periudhën kohore janar - qershor 2008.
//////////////
Rrethi i kujtesës
Arrestohet në Athinë Kostandin Konda, vrau në 93-shin
Pesëmbëdhjetë vjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, derisa bashkëpunimi i Interpol Tiranës dhe atij të Athinës ka vënë në pranga njërin nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Kostandin Konda, 34 vjeç nga Fieri, është arrestuar në shtetin fqinj ku qëndronte prej vitesh si rezultat i një koordinimi midis Strukturave të Hetimit Krimeve të Drejtorisë Policisë Qarkut Fier, Drejtorisë Luftës Kundër Krimeve të Rënda dhe Interpol Tiranës.
Lajmi është konfirmuar nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, në kuadër të operacionit “Rrethi i kujtesës”, seksioni i Krimeve Kundër Personit në sektorin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe Drejtorinë e Luftës Kundër Krimeve të Renda, duke përdorur të gjitha metodat e hetimit special për një periudhë pesëmujore arriti të bëjë të mundur zbulimin dhe dokumentimin ligjor të vrasjes së shtetasit Bashkim Hamitaj, ngjarje kjo e ndodhur më datë 16 gusht të vitit 1993 në lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit. Policia tha ndaj Kondit Gjykata e Fierit, në datën 16 qershor të këtij viti, ka caktuar masën e sigurimit arrest me burg për veprën penale të “Vrasje me Paramendim dhe Mbajtje pa leje të armëve Luftarake”. Sipas vendimit të gjykatës, vrasja e Bashkim Hamitaj nga 34-vjeçari ka ndodhur për motive të dobëta.
Sakaq, policia ka bërë me dije se struktura e Hetimit të Krimeve gjatë këtij 6 mujori ka rifilluar 33 ngjarje të vjetra, dokumentuar 17 prej tyre, nga të cilat 7 për vrasje si dhe janë kapur 120 persona në kërkim.
Gjirokastër
Zjarrfikësit, plan masash për eliminimin e zjarreve
Zjarrfikësit e Qarkut të Gjirokastrës kanë hartuar një plan të veçantë operacional për eliminimin e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe kullosore në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga shefi i efektivave zjarrfikës në Prefekturë, Lefter Qirici, i cili thotë se ky plan përfshin deri ne detaje masat profesionale dhe teknike të efektivave zjarrfikës për të përballuar me sukses sezonin e zjarreve. Sipas tij, “efektivi në të tria stacionet zjarrfikëse në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës është i përgatitur profesionalisht, teknikisht e fizikisht të përballojë mesa më pak kosto situatat e zjarreve dhe shpëtimi”.
Po kështu, Qirici ka shpjeguar se në këtë siguri ndikon edhe përvoja që kanë krijuar zjarrfikësit gjatë vitit të kaluar kur operacionet e tyre u shtrinë edhe jashtë kufijve të vendit duke ndihmuar edhe kolegët grekë në shuarjen e vatrave të zjarrit dhe evakuimin e popullatës. Sipas Qiricit, automjetet, mjetet e pajisjet janë në gjendje të gatishmërisë teknike dhe shërbimet ndaj tyre bëhen me përparësi në kohë sa më të shkurtër edhe nga vetë personeli operues. Ndërkohë, efektivat zjarrfikës e konsiderojnë verën e sivjetshme si sezon favorizues për zjarret për shkak të zhvillimit të bimësisë së shumtë në muajt e pranverës. Në këtë drejtim efektivat zjarrfikës gjatë ditëve të fundit kanë ushtruar një sërë kontrollesh në lidhje me masat e mbrojtjes nga zjarri nga ana e institucioneve dhe popullatës. “Ne kemi ushtruar kontrolle në të gjitha objektet që prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë e tregtojnë lëndë të ndezshme e të djegshme”, - thotë Qirici. Madje zjarrfikësit kanë rekomanduar edhe pastrimin e territoreve të tyre nga lëndë të ndezshme si bimësia, lëndët e djegshme etj. Në këtë plan masash efektivat zjarrfikës kanë gjetur edhe mbështetjen e Shërbimit Pyjor në të tria rrethet e Qarkut.