Turistët dynden tek Vila e Zogut
Vila e Zogut në Durrës, vend apartamentesh luksi dhe dëfrimi
Qeveria dhe bashkia: “Projekti për rikonstruksionin kushton 20 milionë euro”
Prej 20 ditësh Vila e ish-Mbretit Ahmet Zogu, ose siç quhet ndryshe nga durrsakët, edhe “Fanari i qytetit”, ka nisur të vizitohet nga qindra turistë të huaj, kryesisht anglezë, shumica e tyre me moshë mbi 70 vjeç, belgë, gjermanë, italianë, malazezë, danezë, hungarezë, por edhe vendas, pushues dhe transitorë në Durrës. Sipas specialistit të degës së monumenteve historianit Sali Hidri “Vila e Zogut, përbën një pasuri të madhe e cila trashëgohet si një objekt i rrallë, që ka paraqitur interes të madh nga turistë dhe specialistë të fushave të ndryshme prej vitesh, por edhe të turistëve. Qindra e qindra prej tyre kanë nisur ta vizitojnë atë këtë sezon veror”. Sipas Hidrit “Vila e Zogut e ndodhur në majën e kodrës së qytetit apo siç quhet ndryshe edhe Kodra e Sefer Efendiut, përbën një mrekulli arkitektonike, e cila mrekullon turistët, të cilët sapo zbresin nga tragetet dhe anijet e tyre me vela, nisen drejt saj, filmojnë, fotografojnë, interesohen për datën dhe vitin e ndërtimit, për ish-Mbretin, familjen e tij, duke u shprehur të mahnitur nga ky objekt shqiptar. Sipas Hidrit dhe specialistëve të turizmit në Durrës, Vila e Zogut, pronë e familjes mbretërore, ka hyrë tashmë në fondin e rrallë të objekteve turistike dhe arkitektonike, e cila përbën një resurs të çmuar dhe kuriozitet për turistët e huaj. Shumë prej tyre shprehen se “me Vilën e Zogut janë njohur edhe përmes internetit dhe artikujve të shkruar nga disa gazeta të mëdha të tregut mediatik botëror, ndaj nxiten dhe nxitojnë ta vizitojnë dhe prekin nga afër atë mrekulli”.
Qeveria dhe bashkia mendojnë për investimin dhe turizmin kulturor
Qeveria “Berisha” duke gjetur edhe mbështetjen e bashkisë, kanë menduar se duhet investuar për turizmin kulturor, duke pasur parasysh vlerat e objekteve të emëruara Monumente Kulture siç është Vila e Zogut. Prej disa kohësh shtypi i huaj i ka bërë jehonë projektit të ri nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Durrësit për vilën e ndërtuar në kodrën e Durrësit në vitin 1930 për dhuratë ndaj Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu. Dy gazetat prestigjioze që kanë pasur në fokusin e disa ditëve më parë Vilën e Mbretit Zog, “Financial Times” dhe “Indipedent” në muajt shkurt-mars 2008, kanë theksuar në artikujt e tyre faktin se pronat, ose shtëpitë e tipit High-End (luksoze, të standardeve të larta) janë të rralla në Shqipëri dhe me projektin e ri të Vilës synohet që të afrohen blerës nga pasanikë të rinj shqiptarë dhe investitorë të huaj. Nisma është ndërmarrë nga ing. Alban Xhillari, një sipërmarrës ndërtimesh nga Tirana. Projekti kushton rreth 20 milionë euro dhe thuhet se ajo do të rindërtohet për bashkëpronësi duke u kthyer në një vilë të tipit “timeshare” (bashkëpronësi, shfrytëzim apo përdorim me radhë, apo apartament pushimi). Rindërtimi i “pallatit veror” të Zogut do të bëhet nga një kompani angleze, konkretisht me konsulencë të firmës britanike “HLL Humbert’s Leisure”. Një gjë e veçantë e projektit është se aty është studiuar mundësia që në këtë pallat të ketë edhe qendër klimaterike, ose stacion ujërash termale (llixha) duke ndërtuar 50 hyrje ose apartamente për t’ua shitur ato investitorëve ndërkombëtarë apo edhe turistëve të çdo sezoni. Një gjë e tillë synon hapjen e vendit tonë në tregun e shtëpive të këtij modeli. Deri tani të pasurit e rinj dhe biznesmenë kanë blerë hyrje dhe apartamente në Durrës duke i përdorur në verë apo fundjava të ndryshme të vitit. Këto kanë funksionuar në njëfarë mënyre si shtëpi të dyta. Nga ana tjetër modeli që paraqitet nga ky investim i ri, është një risi për vendin tonë. Afro 50 hyrjet luksoze do të jepen për blerësit vetëm 6 javë në vit, ndërsa kohën tjetër të vitit ato do të shfrytëzohen nga pronari i resortit luksoz.
Vila, një dhuratë e tregtarëve durrsakë e tiranas për Zogun
Vila e Zogut u ndërtua nga tregtarët e qytetit të Durrësit si dhuratë për Mbretin Zog I. Ishin afro 22 tregtarë nga Durrësi dhe Tirana, që me fondet e tyre menduan dhe realizuan ndërtimin e një vepre të tillë të rrallë për vitet ’30, por edhe deri ditët e sotme në Shqipëri. Në vitin 1940, Vila e Zogut u cilësua nga Xhuzepe Martino një ndër pasanikët e Romës si “pallati veror më i bukur në Ballkan”, ndërkohë që ajo gjatë 6 viteve të luftës dytë botërore u përdor nga krerët e lartë të ushtrive pushtuese si rezidencë. Ajo është e ndërtuar sipas stilit të artit “Deko”, ndërkohë që në vitin e zi 1997 u shkatërrua nga turmat që kishin humbur shuma të mëdha lekësh në firmat piramidale. 50 apartamente luksi do të përshtaten brenda sipërfaqes së vilës dhe në të nuk do të mungojnë as kazinoja, llixhat dhe dëfrime të tjera. Në vilën e rindërtuar do të ketë kazino, e cila mund të jetë pranë llixhës ose pranë restoranteve dhe mendohet se mund të sjellë shumë të ardhura. Një gjë që duhet të dinë blerësit, është se apartamentet e tyre do të ndahen me trashëgimtarin e Mbretit Zog, princin Leka. Mbi ndërtesën e vilës do të ndërtohet suita e tij, një apartament komplet prej xhamllëku, megjithëse në artikujt e gazetave të mësipërme është thënë se Bashkia e Durrësit e ka dhënë lejen, kjo gjë është përgënjeshtruar nga drejtori i Urbanistikës në Dashkinë e Durrësit, Petraq Kote. Ai është shprehur se “jam në dijeni të një projekti të tillë, se do të bëhet një rikonstruksion i vilës së Zogut, por deri tani te ne në bashki nuk ka ardhur ende projekti. Deri tani KRRT-ja e re ka bërë vetëm dy mbledhje dhe një projekt për të nuk është paraqitur në këto mbledhje”. Artikulli i “Indipedent” ka nxjerrë në pah edhe disa aspekte të panjohura në lidhje me jetën e Ahmet Zogut. Lidhja e princit Leka me qarqe të ndryshme në Angli dhe jo vetëm me ato ushtarake, ka bërë që gazetarëve të ndryshëm t’u bien në veshë histori të ndryshme të Mbretit të vetëm të shqiptarëve. Kështu thuhet se Mbreti Zog ka vdekur në mërgim në vitin 1961. Ai u lind në një familje feudale dhe pretendon se është pasardhës i Skënderbeut. Pasi u bë president në vitin 1925, ai u kurorëzua Mbret i shqiptarëve në vitin 1928 dhe vendosi monarkinë kushtetuese sipas modelit të Italisë. Në brendësi të vilës, e cila përdorej si pallat veror pushimi për familjen mbretërore, Ahmet Zogu vinte shpesh dhe në një nga ambientet e saj luante poker me motrat e tij. Pallati ka një dysheme të shtruar me parket, me tavanin kryesor me afreske dhe shkallë të mëdha prej mermeri. Në dhomën kryesore të pritjes është një fron prej druri arre i veshur me ar, dhuratë e mbretit të Italisë, i cli mendohet se është ulur në të pasi Italia pushtoi Shqipërinë dhe Zogu u detyrua të mërgojë. Sipas të njëjtit burim, Ahmet Zogu u ka shpëtuar 50 atentateve kur ishte në fron dhe ka namin si i vetmi monark i kohëve moderne që ka shkëmbyer zjarr kur është sulmuar nga vrasësit. Ai gjithmonë mbante revolver në brez, por në pallatin e tij në Durrës jeta ishte e qetë. Argëtimi i tij i vetëm ishte pokeri, me të cilin Mbreti luante me motrat e tij, ndërkohë që pinte deri 150 cigare në ditë. Në lidhje me trashëgimtarin, princin Leka, ai u largua nga vendi kur ishte vetëm dyditësh, dhe u rikthye pas gati 60 vitesh, duke pretenduar me të drejtë pronësinë mbi Vilën e ish-Mbretit Zog I.