E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvaret pensionisti, u lë amanet dy djemve t'i shlyejnë borxhet



TIRANE - "Ju lutem ktheni borxhet që unë nuk munda t'i shlyej dot sa isha gjallë...". Këto janë fjalët e fundit të hedhura në një copë letër, nga një 60-vjeçar, i cili u gjet i vetëvarur në banesën e tij në Tiranë ditën e djeshme. Borxhet që prej kohesh nuk po i shlyente dot, sipas policisë, dyshohet se kanë qenë shkaku i veprimit të pensionistit që i ka dhënë fund jetës pasi është vetëvarur në ballkonin e shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:30, në një prej pallateve të zonës së njohur si ish-Uzina Enver, pranë "21 Dhjetorit" në Tiranë. Altin Haxhiaj, baba i 3 fëmijëve të rritur, në një moment kur ndodhej i vetëm në shtëpi, ka kryer vetëvarjen si pasojë e një depresioni që po kalonte kohët e fundit për shkak të borxheve të shumta që kishte. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur grupi hetimor i Policisë së Tiranës, pasi ka verifikuar të gjitha provat në apartamentin e familjes Haxhiaj. Pas marrjes së deklarimeve të familjarëve, që flisnin për depresionin e viktimës, policia ka gjetur edhe një letër lamtumire që viktima kishte shkruar para se të merrte vendimin fatal për jetën e tij. Ai kishte hedhur fjalët e fundit, në një letër të bardhë, në formën e amanetit për djemtë e tij. Përveç lutjes që u kishte bërë të bijve para vetëvarjes, për shlyerjen e borxheve, në letër 60-vjeçari kishte renditur edhe emrat e të gjithë atyre personave që u kishte para borxh, prej një kohe relativisht të gjatë. Pensionisti shpjegonte se arsyeja e vetëvarjes ishte edhe presioni i vazhdueshëm që i bëhej për shlyerjen e parave që kishte marrë hua dhe pamundësia për t'ua kthyer atyre që ua kishte marrë shumat në mirëbesim. Nga veprimet e para hetimore, rezulton se Altin Haxhiraj ka kryer vetëvrasje, duke mbyllur derën e apartamentit nga brenda, në momentin kur në shtëpi nuk ndodhej pjesa tjetër e familjes. Trupi i pajetë i pensionistit është parë nga fqinjët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë forcat e policisë. Veprimet në vendin e ngjarjes u kryen nga forcat e Komisariatit nr.2 dhe ata të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, të cilët konkluduan se ngjarja ishte vetëvrasje në kushtet e depresionit. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›