Bllokohen 670 mijë euro "kriminale"
Trazhgim Sokolaj
Tre personave të hetuar për "pastrim parash" u bllokohen pasuritë me kërkesë të njësisë Task Force Kundër Krimit Eko-nomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve nga organi i akuzës, një llogari bankare me vlerë 400 mijë euro e cila i përket një personi të hetuar për "pastrim parash" është "ngrirë" me urdhër të Prokurorit deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës. Po kështu, dy personave të tjerë, të hetuar për akuzën e "pastrimit të parave", njësia Task Force u ka bllokuar 130 mijë euro llogari bankare si dhe dy apartamente me vlerë 70 mijë euro secili, pasuri të cilat ndodhen në Tiranë. Pas marrjes së kallëzimeve nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave dhe ndjekjes së këtyre çështjeve nga Sektori i Antikrimit Ekonomik në polici, Prokuroria ka nisur menjëherë hetimin e tre personave me akuzën e "pastrimit të parave". Sipas të dhënave të grumbulluara nga hetimi, ka rezultuar se tre personat i kishin përfituar pasuritë në mënyrë të paligjshme dhe më pas janë përpjekur t'i "pastrojnë" fitimet e tyre përmes transfertave bankare dhe blerjes së apartamenteve në Tiranë. Sapo ka konstatuar këto fakte, njësia Task Force në Prokurorinë e Tiranës ka "ngrirë" pasuritë e të dyshuarve, duke vendosur menjëherë, sipas ligjit Antimafia, të datës 25 janar 2010, transferimin e dosjeve të tre personave në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kjo e fundit pritet të vazhdojë më tej hetimet e nisura nga Task Force e Prokurorisë së Tiranës, duke i kërkuar gjykatës sekuestrimin përfundimtar të pasurive që u përkasin personave të dyshuar.
Ligji Antimafia
Pas hyrjes në fuqi të ligjit Anfimafia, të gjitha prokuroritë e rretheve janë të detyruara që me të konstatuar raste të pastrimit të parave, apo të fitimeve të ardhura nga veprimtaria kriminale, t'i referojnë menjëherë dosjet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda,e cila ka juridiksionin për të kërkuar në gjykatë konfiskimin e pasurisë. Një shumë prej rreth 2.5 milionë euro, është bllokuar pak kohë më parë nga Task Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila më pas i ka përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dosjet me provat dhe materialet përkatëse. Personat e dyshuar sipas Prokurorisë kanë qenë me aktivitet në biznese të ndryshme ose pronarë llogarish bankare, trojesh apo objektesh të tjera të përfituara me të ardhura financiare që janë vendosur nga veprimtari kriminale.