G20 e Financave pranë një marrëveshje për rregulla botërore
Ministrat e Financave të G20-s, të mbledhur sot në Londër, janë pranë një marrëveshjeje për "një bashkësi rregullash botërore" për të kontrolluar më mirë bonuset e bankierëve, i deklaroi AFP-së një burim nga një vend i G7-s. Bisedimet "kanë bërë përparime të kënaqshme dhe ndihet se ka një vullnet për të dalë nga mbledhja me një sinjal të fortë dhe një marrëveshje lidhur me një tërësi rregullash të përbashkëta", bëri të ditur ky burim i cili preferoi të mbetej anonim. Këto rregulla mendohet se përfshijnë angazhime me qëllim që bonuset të shpërndahen në kohë dhe të mund "të mblidhen" në rast rezultatesh negative. Për më tepër, bankave do t'u vendosen detyrime për transparencë më të madhe, për sa u takon pagesës së punonjësve me paga më të larta, shtoi burimi lidhur me bisedimet. Pyetjes nëse ishte braktisur ideja e një tavani të bonuseve siç ka kërkuar veçanërisht Franca, ky burim iu përgjigj se kjo pistë nuk ishte përjashtuar plotësisht nga bisedimet, por se ajo nuk bënte pjesë në parime rreth të cilave ministrat ranë dakord sot."Francezët nuk e harruan vendosjen e tavanit, por treguan një elasticitet më të madh lidhur me këtë çështje", bëri të ditur ky burim.