G7 do të përkujdeset për stabilizimin e tregjeve financiare
Frika nga shqetësimet e reja në tregjet ndërkombëtare të aksioneve dhe pasojat e paparashikueshme për ekonominë botërore, ka vënë në lëvizje shtetet më të industrializuara të botës. Pas disa bisedave telefonike të grupit G7, shtatë kombet më të industrializuara të botës siguruan se në rast nevoje do të përkujdesen bashkarisht për likuiditetin dhe stabilitetin e tregjeve financiare. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy ritheksuan të dielën në mbrëmje angazhimin e tyre në eurozonë. Në një deklaratë të përbashkët thuhet se vendimet e samitit të 21 korrikut duhet të zbatohen shpejt. Presidenti francez Nicolas Sarkozy, aktualisht kryetar i G7 dhe G20, foli më parë për krizën e borxheve me kryeministrin britanik David Cameron. Krerët financiarë dhe të bankave qendrore të G7-ës janë zotuar se “do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur stabilitetin financiar, në kohën kur e gjithë bota është prekur nga pasiguria ekonomike”. Ndërkaq franca dhe Gjermania ranë dakort të forcojnë mekanizmin anti-krizë që do të përdoret për të ndihmuar shtetet në vështirësi financiare për shkak të borxhit, në një komunikatë të shpërndarë nga presidenca franceze . Nisur nga situata e rënduar në të cilën ndodhet Italia, si Franca ashtu edhe Gjermania mbështetën planet e qeverisë italiane për balancimin e bilancit brenda 2013-s. nga ana tjetër
Banka Qendrore Evropiane ka bërë të ditur se do të “implementojë në mënyrë aktive” programin e blerjes së bonove. Një gjë e tillë sinjalizon gatishmërinë e bankës për të nisur blerjen e bonove të Qeverisë italiane dhe asaj spanjolle, në mbështetje të ekonomive të tyre.