E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE-minatorëve: Ndërprerja e punës, pasoja për minierën

Reparti Inspektim- Shpëtim Miniera, në METE ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar në minierën e Bulqizës pas nisjes së grevës së urisë së minatorëve ndërsa ka kërkuar që të lejohen të hyjnë brenda galerisë specialistët e saj për ta parë më afër gjendjen atje.
Në një deklaratë për shtyp RISHM ka paraqitur edhe rrezikshmërinë që paraqet mosfunskionimi i minierës për 13 minatorët të cilët prej 15-të ditë ndodhen në grevë urie.
Sipas RISHM ndërprerja e punës nga minatorët grevistë të minierës mund të shkaktojë shembjen e nënkateve si dhe të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune, ndërsa mosndezja e ventilatorëve do të bëjnë të mundur grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në punimet minerare sidomos në punimet qorre, duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë.
Më tej reparti inspektim-shpëtimit në miniera thekson se mosvënia në funksion e pompave për largimin e ujërave nga miniera përbën bllokim total të minierës duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e pajisjeve të makinerive të instaluara në minierë.
Gjithashtu RISHM ka sqaruar se minatorët grevistë të ngujuar në nivelin 14, ndodhen në thellësinë 760 metër linear nga sipërfaqja e tokës dhe jo 1400 metra siç është përfolur këto kohë.
“Theksojmë se nga niveli 5 deri në nivelin e 14-të të pusit, shërbimet në minierë (Takimi dhe Stakimi i ventilatorëve të ajrimit dhe pompave në minierë) nuk bëhen nga punëtorët e specializuar të ACR, por nga vetë grevistët, pasi ata nuk lejojnë hyrjen në minierë të specialistëve të kësaj fushe. Kjo përbën shkelje të Ligjit 8741 datë 15.02.2001 "për sigurinë në punë" në veprimtarinë minerare "Shkelje të nenit 3 dhe 4 dhe RRTSMK (Rregullore e Teknikës, Sigurimit në Miniera dhe Kariera) të paragrafit 36 dhe 241-253", pasi punëtorët e shërbimit të ajrimit dhe të heqjes së ujërave punojnë pa ndërprerje të punës si në ditët e festave edhe në pushime” thuhet më tej në deklaratën e RISHM-it.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›