G99: Konflikt me policinë bashkiake në Kamzë
Drejtuesit e G99-ës denoncuan dje dhunën e ushtruar ndaj aktivistëve të kësaj lëvizjeje në zonën e Kamzës nga 5 policë të policisë bashkiake të zonës. Sipas tyre, personat e veshur me uniforma të policisë bashkiake shkatërruan vendqëndrimin e lëvizjes G99, duke i hedhur të gjitha materialet në rrugë dhe duke i detyruar me dhunë aktivistët e saj që të largoheshin nga Kamza. G99 ka bërë një kallëzim penal ndaj autorëve të kësaj ngjarjeje aspak të pranueshme në një fushatë elektorale dhe kërkon me insistim që autoritetet përkatëse të marrin sa më parë masat e duhura. Pas këtij incidenti ka reaguar Policia e Shtetit, duke theksuar se asnjë punonjës i saj nuk ka qenë pjesë e këtij incidenti. Sipas njoftimit, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar për sqarim në komisariat juristin e policisë bashkiake dhe një nga përfaqësuesit e G99-ës.