E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, debate për listat e kandidatëve

Shqyrtimi i listës shumemërore të kandidatëve për deputetë të partive politike ka shkaktuar debate të ashpra mes anëtarëve të KQZ-së dhe përfaqësuesve juridikë të subjekteve zgjedhore. Përfaqësuesi juridik i Partisë Socialiste braktisi mbledhjen e djeshme, pas disa replikave me kreun e KQZ-së, Arben Ristani, lidhur me procedurat që duhet të ndjekë KQZ-ja në shqyrtimin dhe miratimin e listës shumemërore. Anëtarët e KQZ-së, përfaqësues të opozitës, kërkuan që lista e çdo partie politike të miratohet për çdo qark, siç ndodh zakonisht me projekt-udhëzimet. Anëtarët, përfaqësues të mazhorancës, e kundërshtuan këtë ide, pasi, sipas tyre, qoftë edhe një qark të ketë problem me dokumentacionin, do të hedhë poshtë gjithë listën dhe duhet t‘u kthehet sërish partive politike për të bërë korrigjimet e duhura. Sipas tyre, ideja e përfaqësuesve të opozitës kërkonte shumë kohë, ndërsa janë edhe shumë parti të tjera për verifikim. Dhjetë minuta pushim nuk kanë mjaftuar për të çtensionuar situatën dhe në pjesën e dytë të mbledhjes pati replika mes Genc Gjonçaj, përfaqësues juridik i PS-së, dhe kreut të KQZ-së, Ristani. "Kjo është një çështje jo e thjeshtë. Qytetarët do votojnë mbi bazën e kualiteteve. Paraqesin emrat me të cilët do performojnë. Jo më kot është ndarë paraqitja e kandidatëve në qarqe. Dyshoj se ju nuk bëni politikën e KQZ-së, por të PD-së. Kam autorizimin t‘u them se ne do shikojmë pjesëmarrjen në KQZ nëse vazhdoni kështu", tha Gjonçaj.
"Nuk keni të drejtë të paragjykoni", ishte përgjigjja e kreut të këtij komisioni, ndërsa Gjonçaj doli nga salla e mbledhjes.
Listat shumemërore të kandidatëve për deputetë të dy partive të mëdha, PD e PS, do të shqyrtohen sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. KQZ konfirmoi se kryesisht dy partitë mëdha janë në rregull me dokumentacionin, përveç disa pasaktësive, por ajo që partitë kanë marrë seriozisht për ta përmbushur ketë herë është që 30% e kandidatëve janë femra, siç e parashikon ligji. Sakaq, dje pasdite anëtarët e komisionit nisën shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga partitë politike. Gjashtë parti politike që u morën në shqyrtim, kryesisht patën probleme të vogla me dokumentacionin, por KQZ e pa me vend që të kërkonte plotësimin e dokumenteve nga ana e subjekteve politike.

Aleanca Kombëtare dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar ishin dy partitë joparlamentare dhe jo të grupuara në koalicione të ndryshme, të cilat kanë si detyrim mbledhjen e dhjetë mijë firmave. Asnjë prej tyre nuk kishte sjellë deklaratë individuale të noterizuar te noteri. Ndërkohë, partia e dytë kishte sjellë listë kandidatësh vetëm për tetë qarqe, ndërsa ligji e parashikon për 12 qarqe. Një tjetër moment që shënon një ndër pikat me të veçanta të kësaj pjese të procesit është kandidatja e pavarur që mbështetej nga zgjedhës të Vlorës. Loreta Gjoni ka dorëzuar dokumentacionin në KQZ, por ajo mbush 18 vjeçe vetëm në 24 qershor, katër ditë para zgjedhjeve. KQZ rrëzoi kërkesën e kandidates së pavarur jo për shkak të moshës, por sepse komiteti propozues shkeli afatin e regjistrimit në KQZ.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›