Dule: Nuk ka direktiva greke për PBDNJ-në
Vangjel Dule deklaroi nga Korça se penalizimi që u bënte Kodi i ri Zgjedhor forcave politike, të cilat do të kandidonin të pavarura në zgjedhjet parlamentare, ishte arsyeja kryesore që kjo parti është bërë pjesë e një koalicioni para dhe paszgjedhor. "Koalicioni ynë do të jetë një koalicion fitues me një diferencë të madhe. PBDNJ nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshjeje që do të kondiciononte në vendimmarrjen e saj për këto zgjedhje. Kishim një marrëveshje bashkëqeverisjeje me Partinë Demokratike, e cila përfundon me mbarimin e aktivitetit legjislativ 2005-2009", nënvizoi Dule. Këtë qëndrim ai e shpalosi gjatë takimit të organizuar në Korçë, ku prezantoi kandidatët e listës së PBDNJ-së: Thanas Poçi, Gjergji Leka, Arben Ilia, Andrea Miço dhe Gjergji Tane. Gjatë një konference për shtyp, Dule mohoi të ketë pasur direktiva politike nga ana e palës greke për qëndrimin politik që duhet të mbajë kjo forcë për zgjedhjet e 28 qershorit. "Insistohet në një kuadër të paqenë. PBDNJ angazhohet në zgjedhje nga vendimmarrja e strukturave të veta si një interlokutor i privilegjuar i spektrit politik të Greqisë, i së majtës dhe i së djathtës, jo vetëm sot, por edhe më parë, pasi kjo forcë politike mbështetet fuqimisht dhe mbështet fuqimisht minoritetin grek", u shpreh Dule. Ndërkohë, gjyqin e Bollanos ai e konsideroi vendim turpi.