E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Mesiç, angazhim për liberalizim vizash

Gjatë vizitës së tij treditore në Kroaci, Presidenti Bamir Topi zhvilloi bisedime me homologun e tij kroat, Stepjan Mesiç. Sipas këtij të fundit, ka ardhur koha që qeveria kroate të ndërmarrë hapin e liberalizimit të vizave. Ai kujtoi se Shqipëria i ka liberalizuar vizat për qytetarët kroatë që në vitin 2002. "Në marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë ndikon padyshim edhe anëtarësimi i njëkohshëm i të dyja vendeve në NATO", u shprehen dy presidentët. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit u shpreh se me homologun Mesiç ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave mes dy vendeve. "Padyshim që ka qenë një predispozicion konstant i Presidentit Mesiç për nevojën e liberalizimit të vizave. Të dy ramë dakord që ka ardhur koha për ta realizuar këtë gjë konkretisht", vlerësoi Topi. Garancinë për liberalizimin e vizave Presidenti e ka marrë edhe nga kryetari i Parlamentit, Luka Bebiç, i cili vlerësoi dialogun dhe bashkëpunimin ndërparlamentar. Presidenti u shoqërua në këtë vizitë nga përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë dhe një grup biznesmenësh. Grupet e biznesit shqiptar dhe kroat organizuan një forum ekonomik, ku morën pjesë të dy presidentët. Topi i shprehu homologut Mesiç interesimin e palës shqiptare për më tepër investime kroate në sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, përfshi këtu dhe fushën e energjetikës, po pa specifikuar konkretisht ndonjë projekt. Kontributin që Presidenti Topi ka luajtur në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, homologu Mesiç e ka cilësuar të jashtëzakonshëm. Bamir Topit iu dha "Urdhri i Lartë i Mbretit Tomislav me Brez" dhe "Ylli i Madh i Agimit", që është edhe urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë. Sakaq, Presidenti Topi zhvilloi një takim të veçantë edhe me Kryeministrin Ivo Sanader dhe me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Kroaci. Në bisedën me këta të fundit, kreu i shtetit i informoi rreth zhvillimeve në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›