E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rinia mund ta ndryshojë politikën

Edi Rama u bëri thirrje dje të rinjve shqiptarë të bëhen pjesë e politikës, si e vetmja mënyrë që ajo të përmirësohet dhe të vihet në shërbim të njerëzve. Në një takim me studentë në qytetin e Durrësit, Rama kërkoi përfshirjen e të rinjve në këtë moment mjaft të rëndësishëm, ku ndahet e shkuara nga e ardhmja, ose ajo që sipas tij është politika e vjetër me politikën e re.

"Unë jam këtu për t‘ju thënë se ky është momenti kur çdonjëri prej jush, kur çdo i ri dhe çdo e re në këtë vend që e do vendin, që e do ndryshimin e jetës së vet, që e do transformimin e së ardhmes së vet, që sot për sot duket e paqartë, duket e pasigurt, duket e pashpresë, duhet të merret sot me politikë", tha Rama. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë jo për t‘u bërë politikan, por për t‘i dhënë politikës përmasën e shpresave dhe të ëndrrave, përmes pjesëmarrjes të drejtpërdrejtë në procesin politik. Rama e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm këtë moment, në prag të zgjedhjeve parlamentare, "ndaj, tha ai, sot është momenti që ju t‘i jepni politikës përmasën e zemrës tuaj, e cila rreh sepse shpreson, e cila rreh sepse ëndërron, e cila rreh sepse ju jetoni në një realitet ku me patjetër kërkoni ndryshimin për veten tuaj, për familjen tuaj, shkollën tuaj, qytetin tuaj dhe vendin tonë", nënvizoi Rama. Sakaq, ai justifikoi mungesën e besimit të të rinjve dhe të gjithëve shqiptarëve te politika, pasi sipas tij, ajo ka treguar anën e saj më negative. "Për të hyrë në një drejtim të ri, theksoi Rama, për t‘i dhënë fund kësaj rruge të vjetër dhe për të hapur një rrugë të re, duhet të merrni pjesë drejtpërdrejt për të çuar në çdo derë mesazhin e shpresës, për të mbjellë në çdo zemër dhe në çdo mendje farën e besimit se Shqipëria është një dhuratë bujare e Zotit, që ne nuk mund ta shpërdorojmë", insistoi kreu i socialistëve.

Lideri i opozitës vuri në dukje se politikën, në sa më pak duar ta lëmë, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga ajo, por në sa më shumë duar ta shpërndajmë, aq më e mirë mund të bëhet. "Përmes një politike të mirë, ne mund të bëjmë realitet plot gjëra të mira. Përmes një politike të mirë, ne mund të ndryshojmë shkollën e fëmijëve tanë. Përmes një politike të mirë, ne mund të ndryshojmë kushtet dhe cilësinë e shkollimit në universitetet tuaja. Përmes një politike të mirë, ne mund t‘i japim vlerë investimit të prindërve tuaj, duke bërë që çdo diplomë të ketë vlerën e saj", shtoi Rama.

Sipas Ramës, politika re mund të hapë rrugë të reja për punësimin, qoftë nëpërmjet arsimit profesional dhe qoftë nëpërmjet kualifikimeve më të larta. "Përmes një politike të re ne mund ta bëjmë Shqipërinë një vend të punës dhe një vend të shpresës dhe jo një vend të papunësisë dhe të mungesës së perspektivës", u shpreh ai. Mesazhi i mëtejshëm i Ramës për të rinjtë ishte se për të realizuar një politikë të mirë duhet angazhimi maksimal i tyre. "Unë nuk kam ardhur këtu që t‘ju premtoj gjëra që nuk bëhen. Unë kam ardhur këtu që t‘ju them edhe sot se shumëçka ne mund ta bëjmë së bashku. Në rast se ne i japim njëri-tjetrit mundësinë për ta dëgjuar njëri-tjetrin, në rast se ne e shohim në sy njëri-tjetrin dhe i japim dorën njëri-tjetrit për t‘u bërë më të fortë, pa asnjë dyshim ne mund t‘i japim vetes dhe vendit tonë një shpresë të re, e cila është një shpresë që buron nga fuqia legjitime e ëndrrave tona, e cila është një shpresë që buron nga dëshirat legjitime për një vend më të mirë", tha kryetari i PS-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›