G99-a: Heqja e billbordeve, cenim i lirisë së fjalës nga qeveria
G99-a ka reaguar pas veprimeve arbitrare të një dite më parë të policisë, e cila ka hequr tabelat e kësaj lëvizjeje në autostradë. Veliaj e cilëson veprimin një goditje të fjalës së lirë. “Janë hequr në të gjithë Republikën e Shqipërisë të gjitha billbordet e G99-s. Krejt papritur, ndërkohë që nuk janë hequr billborde që mbajnë fytyrën e Sali Berishës në zgjedhjet e kaluara. Zoti Berisha nuk ka problem me këto tabela, por me mesazhin që ato përcjellin. Fakti që erdhi dhe vizitoi Kasharin, pa këto tabela dhe i shkatërroi, tregon që ne paskemi pasur të drejtë për të hequr taksën e votës. Berisha godet gjithmonë natën, pasi është fajtor. Kush godet natën është fajtor”, - tha kreu i G99-s, Veliaj. Kreu i lëvizjes “G99” tha se e njëjta dorë që shkaktoi Gërdecin po godet edhe fjalën e lirë.
“Janë të njëjtët aktorë që bënë Gërdecin, i njëjti Inspektorat Ndërtimi, i cili nuk e vuri re se si po ndërtohej një fabrikë vdekje, por vuri re menjëherë një tabelë të G99-s, e cila kërkonte që shqiptarët të votonin falas. Zoti Berisha, sado të ndryshojë qimen, s’mund ta ndryshojë dot zakonin e tij”, - theksoi Veliaj.
Reagon Ministria: “Billbordi i G99-s, në kundërshtim me Kodin Rrugor”
Fill pas akuzave për heqjen e billbordeve ka reaguar dje Ministria e Punëve Publike. Zëdhënësja bëri të ditur se Ministria e Punëve Publike ka nisur heqjen e tabelave të reklamave përgjatë akseve rrugore kombëtare. “Ky vendim është marrë në respektim të plotë të ligjit shqiptar, konkretisht të Kodit Rrugor, i cili ndalon vendosjen e çdo objekti në një distancë më të afërt se 25 metra. Të gjitha këto billborde janë ose pa leje, ose me procedura të paligjshme, të kryera nga komunat ku kalojnë akset kombëtare, ndërkohë që pronari i vetëm i rrugës dhe i territorit prej 25 metrash është Ministria e Punëve Publike. Çdo 99-sh dhe çdo 70 lekësh është i lirë të vendosë çdo lloj pankarte brenda oborrit të vet, duke marrë lejen përkatëse nga njësia e qeverisjes vendore, por nuk është i lirë ta bëjë këtë në territorin që zotërohet nga Drejtoria e Rrugëve, për më tepër në kundërshtim me ligjin”, - është shprehur zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Transporteve.
28 Prill 2009