E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia – Besa 3-2, Sinani heroi i sfidës



Besa e frikësoi jo pak Vllazninë, kur i mbylli 45 minutat e para me shifrat në favor të saj 2-1, por tri zëvendësimet e menjëhershme me fillimin e pjesës së dytë nga ana e trajnerit të kuqebluve, Dervish Haxhiomanoviç, jo vetëm që përmbysën rezultatit, por fiksuan edhe fitoren 3-2 të shkodranëve, pikërisht kur dukej se Vllaznia do të hidhte një tjetër hap të gabuar pas atij me Teutën një javë më parë.
Me një formacion emergjent, Besa e Biturkut, ia doli të befasojë tifozët në “Loro Boriçi” kur Artan Sakaj shënoi në minutën e 8-të. Ishte kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, që falë eksperiencës së tij vendosi ekuilibrat në fushë, duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 26-të, por haitiani me pasaportë franceze, Herbi Fortunat shfrytëzoi me zgjuarsi një mosmarrëveshje të mbrojtjes shkodrane, duke i rëdhënë sërish avantazhin Besës në minutën e 31-të. Me dizavantazhin e pjesës së parë të shkodraneve në pjesën e parë, dhe me një Tiranë që fitonte në kryeqytet me Teutën, diferenca shkonte në 4 pikë midis dy kryesuesve, duke hedhur në erë shpresat për titull të Vllaznisë, por pjesa e dytë me hedhjen e Licit e Shtubinës, rezultoi produktive. Sinani, tri herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë barazoi rezultatin në minutën e 48-të, ndërkohë që golin me vlerë tripikëshe e shënoi mesfushori i avancuar Paulin Dhembi në minutën e 60-të. Tashmë, diferenca midis Tiranës e Vllaznsë është sërish një pikë, por shkodranët i pret një ndeshje “ferri” në Peqin, kundrejt një skuadre që konspirohet aletae e bardhebluve.

Lushnja – Flamurtari 1-1
Sherr e kartonë të kuq

Lushnja e përkrahur nga më shumë se tetë mijë tifozë të pranishëm falas në “Roza Haxhiu” (rekord sezonal), falë golit të Erjon Xhafës (36’) e pati fitoren në duar për 87 minuta lojë, por eurogoli i kroatit Mate Brajkoviçit (nuk shënonte nga java e 12-të), solli jo vetëm barazimin e Flamurtarit (1-1), por provokoi edhe një sherr të madh midis dy tifozerive kundërshtare, aq sa u desh edhe ndërhyrja e ashpër e policisë lokale për të rivendosur kontrollin në shkallët e stadiumit. Goli i pestë për kroatin 27-vjeçar. Takimi i gjykuar nga Elvis Peza (shumë i kontestuar nga dy kampet) pati faza tensioni, që solli edhe largimin me karton të kuq në të 62’, si të sulmuesit të Lushnjës, Dorian Bubeqi ashtu dhe të mbrojtësit të Flamurtarit, Franc Veliut, pas një sherri midis dy ekipeve, çka solli edhe ndërprerjen e lojës për më shumë se pesë minuta.

Dinamo -Shkumbini 3-0,
tripletë e Plakut

Me trajnerin Shkëlqim Muça në tribunë dhe me një Sebino Plaku, në një ditë të jashtëzakonshme, Dinamo fitoi 3-0 ndaj Shkumbinit, që nga ana e tij luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 19-të (Bizhyti, me karton të kuq). Blutë, që mesa duket nuk e vuajtën mungesën e Elis Bakajt, nisën serinë e golave qysh në minutën e 8-të, kur Plaku realizoi të parin gol të tij në këtë ndeshje. Pjesa e dytë pati sërish protagonist ish-lojtarin e HamKamit (Norvegji) me dy gola të tij në minutat 65 e 83, teksa ndaj golit të tretë të sulmuesit dinamovit stafi peqinase protestoi jo pak.
Shkumbini mbërriti në “Selman Stërmasi” me mendjen te ndeshja e kthimit gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë kundër Flamurtarit, ku në rast se do të përmbysë disavantazhin e ndeshjes së parë në Vlorë (0-1), do të jetë për herë të parë në finalen e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, e automatikisht me një arritje historike për një vend në Ligën e Europës. Për Sebinon kjo ishte tripleta e parë në këtë sezon, pasi më parë kishte shënuar tri dopjeta në fitoret e Dinamos kundër Shkumbinit (3-1), Besës (4-2) dhe Bylisit (5-1).

5 gola

Sebino Plaku është shndërruar në një specialist për kundër Shkumbinit, duke u shënuar atyre këtë sezon, jo pak por pesë gola, pasi edhe në fitoren 3-1 të fazës së parë, ai kishte shënuar dy gola kundër peqinasve. 23-vjeçari u ngjit në kuotën e 17 golave, dy më pak se kryesuesi Migen Memelli.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 29
25.04.2009, 16:30

Apolonia-Elbasani 3-1
Sead Haxhibulic 27’, Semir Haxhibulic 56’, Brkic 77’/ F.Xhafa 51’

Bylis-Partizani 1-0
Nënaj 10’

Dinamo-Shkumbini 3-0
Plaku 8’, 65’, 83’.
Karton i Kuq: Bizhyti (SH) 19’

Lushnja-Flamurtari 1-1
E. Xhafa 36'/ Brajkovic 87’
Karton i Kuq: Bubeqi (L) 62’, Veliu (F) 62’

Tirana-Teuta 4-1
Memelli 8’, 85’, D.Xhafaj 42’, Agolli 86’/ Vila 31’

Vllaznia-Besa 3-2
Sinani 25’, 48’, Dhembi 60’/ Sakaj 8’, Fortunat 31’

RENDITJA

Tirana 58
Vllaznia 57
Dinamo 51
Shkumbini 44
Teuta 41
Besa 39
Flamurtari 32
Partizani 30
Elbasani 30
Lushnja 30
Apolonia 29
Bylis 28

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›