Tragjikomedia “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, për herë të parë në TK
Kryevepra e autorit italian Luigi Pirandello vjen premierë në skenën shqiptare
Izaura Ndoj
Së shpejti pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar premiera e dytë që i është drejtuar përsëri dramaturgjisë botërore dhe një nga kryeveprat e kësaj dramaturgjie është tragjikomedia “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, i Lugi Pirandello. Për këtë shfaqje regjisori Mehmet Xhelili ka filluar të punojë me stafin aktorëve, Fatos Selën, Marjeta Ljarja, Fadil Kujofca, Dritan Boriçi, Olta Daku, Olta Gixhari, Eftiola Laçka. Vepra vjen për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo. Drejtori i TK, Kristaq Skrami gjatë një konference për shtyp tha se, “Në këtë vepër jemi kujdesur që të aktivizohet pjesa më e madhe e aktorëve të Teatrit Kombëtar, dhe jemi munduar dhe kemi bërë një përzgjedhje të saktë të kasës së aktorëve”. Ndërsa regjisori Mehmet Xhelili shprehu se kjo vepër do të jap një emocion të veçantë për publikun sepse vepra në thelb ka një forcë tërheqëse, ka një histori të bukur, një subjekt të bukur, ka një gjuhë, ka një problematik, etj. Vepra e Pirandellos “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, më mirë se çdo vepër tjetër mund ti konvertoj këto paralele, të jetë një vepër e fuqishme që plotëson fuqishëm regjisorin dhe publikun”. “Vepra e Pirandellos është një vepër që e nderon këtë teatër dhe do të jetë një kontribut i madh në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij ashtu sikundër ka pasur dhe një ndikim të jashtë zakonshëm edhe në teatrin evropian. Kam besim të plotë që kjo vepër duke u mbështetur edhe te trupa realizuese e saj do të arrij të vij me tërë forcën e saj edhe për publikun shqiptar”. Ndërsa përsa i përket qasjes regjisoriale vepra do të vij fuqishëm pasi ka një subjekt interesant, dhe mbi të gjitha ka një pikë shikimi origjinal”-cilësoi Xhelili. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emociononte, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli. Gjatë konferencës Skrami theksoi se “Shumë shpejt do të mbyllet dhe lajmi për konkursin e dramës shqipe rreth datës 13-15 shkurt, ku do të zgjidhet vepra kombëtare e cila do të jetë edhe premiera e tretë, e cila do të jetë në vigjiljen dhe në krijimin e 65-vjetorit të Teatrit Kombëtar dhe festivalin që sivjet do ti përkushtohet krejtësisht dramës shqipe”.
3 Shkurt 2010