G99, prezantim publik në Durrës
Grupimi i ri politik në vend, (G99) filloi dje një tur prezantimi nëpër qendrat kryesore urbane të Shqipërisë. Takimet nisën në qytetin e Durrësit, ku u bisedua me përfaqësues të Sindikatës së Hekurudhave. Gjendja e mjeruar e tyre dhe vizioni për ta ndryshuar këtë situatë ishte boshti i bisedës midis përfaqësuesve të G99 dhe atyre të hekurudhave. Një tjetër takim u zhvillua me anëtarë të Shoqatës së Peshkatarëve. Erion Veliaj bëri një prezantim të G99 në Qendrën Kulturore të Fëmijëve për një publik më të gjerë qytetar, ku prezantoi idenë e një alternative të re qytetare-politike në vend. Midis të tjerash, Veliaj tha se "frika ime më e madhe janë pyetjet e fëmijëve të palindur. Pas shumë vitesh kur ata të lexojnë për Gërdecin po të pyesin: "Ti çfarë bëre kur ishe 20 e ca vjeç, kur kishe energji të ndryshoje gjërat? Dhe përgjigja më tmerruese është: Unë isha indiferent". Kjo, sipas Veliaj, është një frikë më e madhe sesa ajo nga dinozaurët e vjetër të politikës.