Patos, bashkia urdhëron shkatërrimin e selisë së PS-së
Bashkia e Patosit urdhëron shkatërrimin e selisë së Partisë Socialiste në qytet. Fadromat e Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë së qeverisur nga LSI-ja kanë tentuar tri herë të rrëzojnë përtokë një pjesë të ndërtesës, ku janë vendosur zyrat e PS-së lokale, por deri dje socialistët kanë mundur ta mbajnë në këmbë ndërtesën që është bërë pronë e tyre në vitin 1991. Tentativa e fundit e bashkisë për të shkatërruar selinë e PS-së është pasuar me dorëheqjen e kreut të Inspektoratit Ndërtimor, Kamber Nezha, i cili është anëtar i komitetit drejtues të PS-së dhe e kishte të pamundur shembjen e "shtëpisë së partisë". Kryetari i Partisë Socialiste për Patosin, Artan Velçani, thotë se ndërtesa që kërkon të shembë bashkia është pronë e PS-së. "Prej disa kohësh ne jemi në konflikt me Bashkinë e Patosit, si shkak i një vendimi të kryetarit të saj për të hedhur në shesh një pjesë të selisë sonë. Ne disponojmë një vendim të këshillit të ministrave, që mban datën 16.08.1991, nr. 1820, i cili i jep selisë së Partisë Socialiste, degës Patos, të gjithë godinën në fjalë. Por, duke shkelur hapur këtë vendim, kreu i bashkisë vendos ta shembë me pretendimin se kjo është pronë publike", thotë kreu i PS-së së Patosit. Inspektorati i Ndërtimit ka marrë urdhër të hedhë përtokë një pjesë të godinës së PS-së, me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë. Për këtë vendim të policisë bashkiake, mësohet se nuk e ka dhënë miratimin Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë. Këtë fakt e pranon edhe drejtori i zyrës së urbanistikës në këtë bashki, Ilir Mile, i cili thotë se "jemi në procedurë për ta paraqitur vendimin në KRT". Kreu i PS-së së Patosit deklaron se zgjidhja e vetme e problemit është ankimi në gjykatë e prokurori. Kreu i bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, që vjen nga LSI-ja, thotë se "çdo gjë po bëhet në emër të respektimit të ligjit të urbanistikës. Pretendimet që ngre selia në fjalë le të mbrohen deri në fazën e fundit, kur më duhet të ndërhyj me fadroma". Gjithashtu, Meli ka deklaruar se për këtë çështje ka komunikuar edhe me kreun e PS-së, Edi Ramën.