E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Mali i Zi hedhin hapin e parë drejt shkrirjes së kufijve

Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Shkodër, ku së bashku me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç, inauguruan fillimin e punimeve të së parës pikë kalimi kufitare të përbashkët mes dy vendeve. Kjo pikë doganore e përbashkët, e para e këtij lloji në rajon, do të ndërtohet në Muriqan dhe është një projekt pilot i financuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha ftoi gjithë vendet fqinje të Shqipërisë të ndërtojnë pika të tilla të përbashkëta kufitare dhe doganore. Në këtë ceremoni, Kryeministri shoqërohej nga ministri Financave, Ritvan Bode, ministri i Bujqësisë, Emin Gjana, ministri Brendshëm, Bujar Nishani, dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se kjo pikë e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi mishëron vullnetin për të ngritur një miqësi dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve. "Shqipëria i konsideron si mjaft të rëndësishme marrëdhëniet me fqinjët veriorë në zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Ndërtimi i kësaj pike të përbashkët do të ndikojë fuqishëm në zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe në marrëdhëniet mes dy vendeve", tha kreu i qeverisë shqiptare. Ndërsa Kryeministri i qeverisë së Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha: "Ne të gjithë e dimë, po ashtu edhe partnerët tanë evropianë, se dita e sotme nuk erdhi aksidentalisht. Ky është një atribut i vullnetit tonë të mirë për t‘u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe të perspektivës sonë euroatlantike. Duke arritur standardet, ndër të tjera edhe në menaxhimin e pikave kufitare, ne do të përshpejtojmë procesin e liberalizimit të vizave me vendet evropiane". Ambasadorët e BE-së në Shqipëri dhe Mal të Zi, Helmut Lohan dhe Leopold Maurer, ndanë mendimin se ndërtimi i kësaj pike të përbashkët doganore do të ndihmojë në zhvillimin dhe bashkëpunimin reciprok në shumë fusha mes dy vendeve fqinje në rrugën e tyre të përbashkët drejt BE-së. Në fund të ceremonisë, kryeministrat e dy vendeve fqinje vendosën nga një tullë me flamujt reciprokë të dy vendeve në themelet e ndërtesës së përbashkët. Krijimi i pikave të përbashkëta doganore në Evropë filloi 30 vite më parë në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Ky ishte një nga hapat që i paraprinë krijimit të një hapësire pa kufij në Evropë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›