Mesiç: Do të liberalizojmë vizat
Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka nisur dje vizitën dyditore në vendin tonë. Takimin e parë Presidenti kroat e ka pasur me Presidentin shqiptar, Bamir Topi, në ambientet e Pallatit të Brigadave në Tiranë. Gjatë këtij takimi, Presidenti Bamir Topi dhe homologu tij kroat, Stipe Mesiç, kanë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe bashkëpunim në rrugën e përbashkët për anëtarësimin e plotë në NATO, si dhe hyrjen në familjen e madhe evropiane. Nga ana e tij, Topi vlerësoi edhe Kroacinë për njohjen që i bëri pavarësisë së Kosovës, duke treguar qëndrimin e përbashkët me vendet e tjera të zhvilluara. Po ashtu, Topi deklaroi se në takimin e zhvilluar me homologun Mesiç u diskutua edhe për regjimin e vizave dhe që në një të ardhme të shkojë deri në heqjen e plotë të tij. Kreu kroat premtoi se do të merren masa që të liberalizohet deri në maksimum regjimi i vizave. "Duhet të merren të gjitha masat, që edhe më tej regjimi i vizave mes Shqipërisë dhe Kroacisë të liberalizohet në kornizat maksimale të mundshme", është shprehur Mesiç. Më tej, ai ka theksuar se "deri në vitin 2000 kemi pasur një regjim korrekt vizash mes Shqipërisë dhe Kroacisë, i cili faktikisht ka stimuluar qarkullimin e njerëzve, si dhe shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve". Duke u ndalur te bashkëpunimi politik, Presidenti Mesiç është shprehur se ai është mjaft i mirë dhe në rrugë të mbarë. Por, ka shtuar ai, mendoj se ka përsëri mjaft mundësi për përparimin e asaj që është realizuar deri më sot dhe na takon ne, e për këtë kam parasysh si palën kroate edhe palën shqiptare, që të shfrytëzojmë këto mundësi. "Vullneti politik nga të dyja palët ekziston dhe unë nuk shoh asnjë pengesë në rrugën e zgjerimit të marrëdhënieve miqësore të Shqipërisë me Kroacinë", tha Mesiç. Gjithashtu, Presidenti i Kroacisë ka takuar edhe Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku më pas ka mbajtur një fjalë përshëndetëse para deputetëve në Kuvend. Pjesë e axhendës së Presidentit Mesiç kanë qenë edhe takimet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si edhe vizita te Varrezat e Dëshmorëve, ku Presidenti kroat ka vendosur një kurorë me lule, i shoqëruar nga nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi. Vizita e Presidentit kroat do të vijojë edhe ditën e sotme, me disa takime në qytetin e Shkodrës, për t‘u mbyllur me një konferencë të përbashkët mes tre presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.