E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kushtetuta nuk është ndërtim informal

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka përsëritur dy herë qëndrimet e tij kundër ndryshimeve të nxituara të ligjit themeltar të shtetit. Në dy takime të rëndësishme, Presidenti i Republikës ka bërë thirrje që të mos luhet me Kushtetutën, ndërkohë që ka shprehur përkrahjen e tij ndaj variantit të zgjedhjes së Presidentit nga populli. Ndërkaq, në mënyrë diplomatike ka thumbuar Kryeministrin Berisha, duke bërë të ditur se thelbi i prekjes së Kushtetutës nuk ka të bëjë thjesht me zgjedhjen e Presidentit, por me reformën zgjedhore, si dhe mocionin ndaj Kryeministrit.

KLD

Megjithëse grupi i mbështetësve të tij është tërhequr pak orë para miratimit të ndryshimeve në Kushtetutë, kjo nuk e ka penguar aspak kreun e shtetit që të sulmojë politikën shqiptare dhe konkretisht mazhorancën në lidhje me qëndrimet më të fundit për të prekur disa nene të Kushtetutës. Gjatë mbledhjes së KLD-së, Presidenti Topi, i cili është edhe kryetari i këtij institucioni ka deklaruar se reformat nuk duhet të jenë fasadë për të krijuar imazh të rremë te partnerët ndërkombëtarë, por duhet të jenë një proces ku në mënyrë të qartë të japim të gjithë vendosmërinë që kemi të gjithë për të realizuar shtetin e së drejtës. Sipas tij, shteti juridik në asnjë rast nuk mund të ndërtohet nëse interesat publike injorohen duke u dhënë prioritet interesave politike dhe personale. "Kushtetuta, ligji dhe institucionet nuk janë ndërtime informale apo provizore, por janë themel i Shqipërisë i një shekulli të ri që u përket dhe do t‘u përkasë fëmijëve tanë", është shprehur Presidenti Topi. Duke theksuar se cilatdo qofshin motivet që e shtyjnë një shtet të marrë iniciativa apo vendime të caktuara nëpërmjet mekanizmave të tij drejtues, rregullatori i konflikteve në shoqëri mbetet ndër të tjera sistemi i drejtësisë.

Mesiç

Por kritikat dhe akuzat ndaj politikës, kreu i shtetit nuk i ka kursyer dje as gjatë takimit me Presidentin Mesiç. Duke iu përgjigjur interesit të mediave në lidhje me qëndrimin e tij në lidhje me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Presidenti Topi është përgjigjur se "askush nuk është kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave, por në këtë drejtim duhet të vlerësohet shpejtësia dhe maturia me të cilën ecën ky proces, pasi Kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë".

Sipas Presidentit, është shumë e rëndësishme dhe parimore fakti që Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar për një vendimmarrje që e konsideron vendimmarrje politike. "Presidenti është garanti institucional dhe moral i dokumentit themeltar të shtetit që është Kushtetuta, ndaj i vetmi prononcim ka qenë pikërisht lidhur me kujdesin që duhet të kenë partitë politike, që procesi i prekjes së Kushtetutës t‘i nënshtrohet një dialogu të gjerë dhe një konsultimi me konstitucionalistë", është shprehur Topi. Duke e konsideruar këtë ndërhyrje si shumë principale, Presidenti Topi është shprehur se "çështja e prekjes së Kushtetutës nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pasi elementi thelbësor i këtij procesi është reforma zgjedhore dhe një tjetër çështje ka të bëjë me mocionin ndaj Kryeministrit".

Në funksion të reformave, tha Topi, mund të dalë e nevojshme që Kushtetuta të preket. Presidenti i Republikës, duke bërë thirrje që ndërhyrjet në Kushtetutë të mos jenë për çështje të interesave të vogla, ka përkrahur gjithsesi variantin e zgjedhjes nga populli të kreut të shtetit, duke vënë në pah edhe modelin kroat, ku Presidenti Stipe Mesiç është zgjedhur në mënyrë direkte. "Kam folur dikur, kur nuk isha në këtë pozicion. Sigurisht që e kam rikonfirmuar atë, sepse në natyrën time mundohem të jem konstant, jo i varur nga pozicionet, por duke pasur Presidentin Mesiç këtu, kam parë dhe kam vlerësuar që një personalitet merr vlerësim të ripërsëritur nga shoqëria, nga populli dhe pa qenë pjesë e koniunkturave të partive politike dhe për këtë unë e admiroj sjelljen politike të zotit Mesiç edhe në funksion të situatave rajonale, ku ai ka qenë një zë i moderuar dhe mjaft konstruktiv", deklaroi kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›