E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99 reagon për vizitën e Damir Fazlliç në Shqipëri

Lëvizja “G99” ka reaguar sot për vizitën e Fazlliç në Shqipëri dhe shoqërimin e tij me efektiva policie. “G99” kërkon hetim nga prokuroria ndërsa ka kritikuar ashpër shoqërimin e Fazlliç nga policët. 

TIRANË - Pas qëndrimit në Tiranë për disa orë të shumë të përfolurit Damir Fazlliç, lëvizja “G99” ka reaguar duke e quajtur ditën e djeshme, dëshpëruese për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. “G99” e vlerëson të turpshme faktin që Policia e Shtetit dhe funksionarë të kryeministrisë janë përdorur politikisht si eskortë të trafikantit më të madh të Ballkanit. “G99” i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë faktet e ardhjes së Fazlliç në Tiranë.
Ndërkohë që vetëm pak pas largimit të Fazlliç nga aeroporti “Nënë Tereza”, Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër-arrestin për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Për Fazlliç, mediat shqiptare kanë publikuar një sërë faktesh dhe dokumentesh që tregojnë mashtrimet e Fazlliç në Shqipëri me përfshirjen edhe të zyrtarëve të lartë.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›