E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Brace: Qeveria e kapur nga serbët

Nga Suela Gera
Debate në seancë parlamentare për vizitën disa orëshe që biznesmeni serbo- boshnjak Damir Fazlic zhvilloi dje në Tiranë. Opozita akuzoi kryeministrin Berisha se vuri policë në mbrojtje të Fazlic. Ministri Nishani: Akuzat të pavërteta. 

TIRANE- Vizita disa orëshe që biznesmeni serbo- boshnjak Damir Fazlic zhvilloi dje në Tiranë u bë objekt debati në seancën e sotme parlamentare.

Opozita akuzoi kryeministrin Berisha se ishte ai që solli në Shqipëri, Damir Fazlic, nipin e ish shefit të UDB, Stanisic si dhe mik i klanit të Zemunit dhe i garantoi qëndrim të sigurtë atij. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Erion Brace e cilësoi vizitën e djeshme të “njeriut më të akuzuar për krime në Ballkan”, si “dita më e zezë e historisë kombëtare”.
Brace hodhi akuza se “me urdhër të kryeministrit institucionet e sigurisë u vendosën në mbrojtje të Fazlic. E kundërta ndodhi me Kosta Trebickën, (dëshmitarit kyc të trafikut të municioneve drejt Afganistanit) ku asnjë polic nuk u vu në mbrojtje të tij.

“Gjithë institucionet e sigurisë dështuan dje. Me urdhër të kryeministrit institucionet u vendosën në mbrojtje të Damir Fazlic. Një komisariat i tërë u vu në shërbim të kriminelit, ndërkohë nuk vuri një polic në mbrojtje të Trebickës”- tha Brace. 
Numri dy i grupit socialist i bëri thirrje prokurorisë të bëjë kallzim penal për të gjithë ata që penguan urdhërekzekutimin për ndalimin e Fazlic dhe të shpallë kërkim ndërkombëtar për biznesmenin serbo- boshnjak.
Në emër të deputetëve socialist, Brace i kërkoi presidentit Topi të ndërhyjë dhe të kërkojë “hesap” nga kryeministri Berisha pasi sipas tij “qeveria është kapur nga serbët”.

“ Shteti ynë është i kapur.Shqipëria është e varur prej Beogradit dhe kjo është vepër e kryeministrit tonë. 95 % e energjisë importohet në Shqipëri nga Serbia. Veprat më të mëdha në infrastrukturë po i ndërtojnë firma që kanë degë në Serbi. Rrjeti më i madh i shërbimeve tregtareve është në duart e serbëve. 45 % e shërbimeve tregtare vjen nga Serbia. Veprat më të mëdha në infrastrukturë po i ndërtojnë firma që kanë degë në Serbi”- shtoi Brace.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në replikën e tij, për tju përgjigjur akuzave të ngritura nga nënkryetari i grupit parlamentar Erion Brace, tha se “asnjë forcë ligjore nuk ishte vënë në dispozicion të Damir Fazlic dhe se kjo ishte një spekulim i pastër dhe aludim. Sipas ministrit të Brendshëm shoqërimi i Fazlic është bërë nga forcat e policisë së aeroportit të Rinasit dhe se kjo ishte një detyrë rutinë e policisë.
“Së pari nuk ka pasur asnjë kërkesë, nuk ka pasur asnjë informacion apo indicie që jeta e Damir Fazlic të të rrezikohej. Spekulimet që bëhen, janë për shkak të punës rutinë të punonjësve të terminalit të Riansit të cilët janë të detyruar të zbatojnë për shkak të ligjit, kontrollin dhe ndihmën e kërkuar nga të gjithë shtetasit për kalimin e pikës kufitare qoftë në hyrje dhe në dalje”. Sipas Zotit Nishani policia ka kryer vetëm detyrën e saj dhe se nuk do të bjerë pre e politikës në vend. Por sipas deputetit socialist Vangjel Tavo ekzistojnë filmime që provojnë se Damir Fazlic është shoqëruar në aeroport nga shefi i komisariatit nr 4, në Tiranë.   

Ministri i Brendshëm Nishani i cilësoi si spekulime dhe jo korrekte deklaratat e Braces se ekonomia shqiptare është e kapur nga “serbët. “Akuzat e rënda për kompanitë që kanë degë në Serbi nuk janë korrekte, pasi është normale që një kompani e madhe të ketë degë të saj në Serbi, në Maqedoni apo kudo tjetër. Tentativa për t’i perceptuar jonormale këto kompani janë spekulime” 

Zëvendëskryeminsitri Genc Pollo e quajti reagimin e opozitës, si skandal të radhës që opozita po sajon. "Po sajohet skandali i radhës i cili po shitet njëlloj si skandali i Kosta Trebickës, në pritje të një skandali tjetër. Nuk ka asnjë fakt ku ka një shkelje ligjore të saktë, përvec akuzave që shfaqen si meteorë dhe zhduken si të tillë"
Zv kryeministri akuzoi opozitën se po synon të largojë vëmendjen nga problemet kryesore që ka vendi si ai i luftës kundër korrupsionit dhe rezultatet që qeveria ka arritur në këtë cështje

Për kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ardhja dhe ikja e biznesmenit serbo boshnjak është veshur me mister. “Kreu i mafias ballkanike, njeriu i shërbimeve sekrete të Miloshevicit erdhi në mënyrë enigmatike dhe u shoqërua në mënyrë enigmatike nga autoritetet shqiptare”-  tha Pëllumb Xhufi nga foltorja e Parlamentit. Ai akuzoi policinë dhe prokurorinë se bënë “një sy qorr dhe një vesh shurdh” për vizitën e Damir Fazlic.


(BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›