E Diel, 1 Nëntor 2026

Marijuana e Lazaratit do trafikohej në Greqi

Sasia prej 296 kilogram marijuanë që u bllokua të martën në mbrëmje do të kalonte kufirin me Greqinë në afërsi të Ersekës. Policia sqaroi se operacioni ka qëllim asgjësimin e lëndës narkotike që policia nuk arriti ta shkatërronte gjatë fazës kultivimit në Lazarat. 

TEPELENE- Droga prej 296 kilogram marijuanë e cila u bllokua në mbrëmjen e së martës në Dragot të Tepelës kishte destinacion Greqinë. Burime të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se droga do të kalonte kufirin me Greqinë në afërsi të Ersekës, ku mundësitë për kontrolle janë më të pakta, po edhe për faktin se vëmendja e policisë është përqendruar në rrugën Gjirokastër-Kakavijë.

Në operacionin e koduar “Fillimi” forcat e Sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës arrestuan në flagrancë Petrit Telharaj nga Tirana. Ai u arrestua duke transportuar sasinë e marijuanës së presuar me automjetin e tij tip "Benz" furgon, nga Gjirokastra për në Ersekë dhe me destinacion përfundimtar Greqinë. Kapja e 40-vjeçarit u bë e mundur pas informacioneve të sakta të siguruar në rrugë operative nga uniformat blu, se në këtë zonë do të transportohej lëndë narkotike. Burimet nga policia konfirmojnë se droga vinte nga Lazarati.

Për t'iu shmangur kontrolleve të shumta në aksin Gjirokastër-Kakavijë, ata po provojnë të ndryshojnë itinerarin e linjës së trafikut. Dëshmi e kësaj është dhe operacioni i arrestimit të 40 vjecarit nga Tirana. Droga ishte fshehur në furgon nën disa arka me banane. Pakot me marijuanë ishin të mbështjella me letër natriban 1 kilogram secila.

Polcia dhe prokuroria e Gjirokastrës po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, pasi dyshohet se në këtë trafik janë përfshirë dhe persona të tjerë. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë, Gentian Mullai, deklaroi se operacioni i koduar "Fillimi" ka si qëllim asgjësimin e të gjithë lëndës narkotike që policia nuk arriti ta shkatërronte gjatë fazës kultivimit.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›