E Diel, 1 Nëntor 2026

GALERIA 2009, mbizotërojnë ekspozitat fotografike në agjendën artistike

>Publikohet lista e aktiviteteve kulturore që do të organizohen gjatë vitit 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve 
Në çdo fillim viti çdo institucion përgatit një agjendë të veprimtarive të tij kulturore, ku prezanton programin e veprimtarive, që do të ndiqet për një periudhë të caktuar kohore. Në zbatim të programit të aktivitetit të saj artistik, Galeria Kombëtare Arteve ka përgatitur agjendën e saj artistike për vitin 2009. Në morinë e ekspozitave,vijnë shumë emra të talentuar të artit pamor, shqiptarë dhe të huaj. Kështu në pritje të shpalljes së fituesit të Onufrit, një ekspozitë e cila ka zënë të dy sallat e Galerisë së Arteve, në datën 10 shkurt vjen ekspozita fotografike Besa e fotografit amerikan Norman Gerchman. Ndërkohë që në sallën e dytë do të hapet ekspozita tjetër fotografike e kroatit Ivo Perlan, një bashkëpunim ky me ambasadën kroate në vendin tonë. Por në agjendën  e këtij viti, ashtu sikurse dhe viti i kaluar janë dhe ekspozita vetjake. Në fund të muajit shkurt do të çelet ekspozita autorit Hasan Nallbani, ndërkohë që në datën  4 mars do të jetë një ekspozitë me fotografi greke, nga një fondacion grek. Në vijim të ekspozitave në muajin maj do të çelet  ekspozita me veprat të fondit të GKA me titull Udhëtarë të huaj që kanë pikturuar në Shqipëri, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 qershor. Muaji korrik, gusht, shtator dhe tetor nuk do të ketë ekspozita, pasi sallat do të jenë në rikonstruksion. Kjo periudhë do të pasohet me ekspozita me autorë shqiptarë të traditës, më pas do të vijnë vepra të autorëve Kiço Kristiko dhe Zef Shoshi, për të përfunduar në dhjetor të viti 2009 me konkursin Onufri. Ndërkohë që gjatë vitit që lamë pas Galeria Kombëtare e Arteve në politikat e saj kulturore, ka synuar prezantimin dhe promocionin e aktiviteteve kontemporane të arteve pamore shqiptare dhe ndërkombëtare. Po kështu, objektiv i rëndësishëm i këtij institucioni ka qenë dhe aspekti muzeal jo vetëm në fushën e restaurim-konservimit, por edhe prezenca retrospektive e artistëve që janë përfaqësues të denjë të historisë së artit pamor shqiptar. Sipas zyrës së shtypit të kësaj galerie, aktiviteti për vitin që lamë pas ka konsistuar në realizmin e ekspozitave në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim prezantimin e artistëve shqiptarë, të cilët jetojnë si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në përzgjedhjen e këtyre artistëve, GKA është munduar të sjellë përfaqësues të tendencave dhe rrymave më të spikatura të artit pamor shqiptar. Kështu  në bashkëpunim me Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik dhe Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, u hap një ekspozitë mbi teknikën më të fundit të restaurimit të ikonave. Po kështu janë organizuar retrospektiva për artistë të njohur, me kontribut të veçantë në historinë e artit shqiptar si retrospektiva e Sadik Kacelit, ekspozita e Jakup Kerrajt etj. Një ekspozitë mjaft interesante ishte ajo e piktorit të njohur Bujar Zajmi ku u prezantuan 76 portrete, kryesisht personalitete në fushën e kulturës, artit, shkrimtarë e artistë shqiptar, por edhe të huaj janë vizatuar nga piktori që prej vitit 1965 e deri më sot. Duhet theksuar se të gjitha këto portrete, Bujar Zajmi i ka krijuar vetëm nëpërmjet kujtesës vizuale. Ndërkohë që gjatë këtij viti janë sërish emra të spikatur të artit, që do të vijnë me vepra të tyre në GKA.

********************************************************
Programi i ekspozitave në GKA Janar- Ekspozita Onufri 08
Shkurt-Ekspozita Besa e fotografit amerikan Norman Gerchman (10- 20 shkurt)
            Ekspozita e fotografit kroat Ivo Perlan, (10-28 shkurt, salla 2)
Mars- Ekspozitë vetjake e Hasan Nallbanit (24-12 mars, salla 1)
           Ekspozitë e artit hibru(Izrael) (16mars -30 prill, salla 1)
         Ekspozitë fotografike greke(4-8 mars, salla 2)

         Ekspozita Kohë e trazuar,propozim i Brukselit (20mars-7prill, salla 2)
Prill- Ekspozitë e artit hibru (Izrael) (16mars -30 prill, salla 1)
          Ekspozita Kohë e trazuar,propozim i Brukselit (20mars-7prill, salla 2)
Maj- Ekspozitë me vepra të fondit të GKA Udhëtarë të huaj që kanë pikturuar Shqipërinë (4maj-30 qershor, salla1)
Qershor- Ekspozitë me vepra të fondit të GKA Udhëtarë të huaj që kanë pikturuar Shqipërinë (4maj-30 qershor, salla1)
Korrik,gusht, shtator dhe tetor sallat e ekspozitës në rikonstruksion
Nëntor- Ekspozitë me autorët shqiptarë të traditës
              -Ekspozitë e Llambi Blidos, punime pikture
Dhjetor- Ekspozitë qeramike e autorit Kiço Kristiko (salla10
              -Ekspozitë pikture e Zef Shoshit (salla2)
             -Në vijim hapet Onufri 2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›