E Shtunë, 31 Tetor 2026

Producenti i Kubrick dhe Spielberg leksion dhe rrëfime në Tiranë

14/01/2009  Jan Harlan

Lidhjet e tij me Stanley Kubrick për dhjetëra vjet me radhë ishin pastërtisht familjare. Nipi i kineastit Veit Harlan, Jan Harlan, ishte vëllai i bashkëshortes së Kubrick, Christiane. Për 43 vjet ai ishte njeriu që i qëndroi afër regjisorit legjendar, duke u bërë producent i filmave të tij. Por ndërkohë Harlan njihet edhe si producent i një tjetër regjisori po kaq të njohur - Steven Spielberg. I pranishëm në Akademinë e Arteve në Tiranë, Jan Harlan, i ftuar nga Televizioni Shqiptar, ka mbajtur dje një leksion për studentët e aktrimit e të regjisë.

Detajet që bëjnë një film të mirë, puna që bëhet me to, përvoja personale kanë ardhur përmes një leksioni-rrëfim të kineastit, i cili do të ndajë përmes ekranit edhe një pjesë të kujtimeve të tij me Kubrick.

Për herë të parë në Shqipëri erdhi disa muaj më parë, në festivalin e filmit të Durrësit, e tanimë ky fillim duket i mbarë.

Fatkeqësisht pohon se nuk di shumë për kinemanë shqiptare “veç asaj që mund të lexojë në enciklopedi”, porse kjo prekje e vogël me Shqipërinë i ka lënë shije të mirë. “Për kinemanë shqiptare di vetëm atë që lexoj në enciklopedi”, - thotë Harlan, duke lënë të kuptohet se megjithatë një film i mirë është universal dhe është i mirë “kudo”. “Të bësh një film është një frikë e madhe, një punë vërtet e rëndë, por është argëtuese, sepse mund të marrësh energji, nëse të pëlqen materiali. Dhe nëse nuk të pëlqen materiali, duhet të marrësh energji për të bërë atë”, - shprehet producenti, ndërsa duket se ndan të njëjtat ide me Kubrick në këtë pikë. “Nëse shikon filmat e Stanley, ata janë shumë të ndryshëm në formë”, - vëren Harlen, duke shpjeguar se, në fakt, është pikërisht kjo, fija e përbashkët që përshkon zakonisht këta filma: “Është natyra njerëzore, budallallëku njerëzor, krenaria, kotësia dhe aftësia e madhe e species sonë për t’u vetëlënduar”, - nënvizon ai, ndërsa shton se pikërisht për këtë Stanley ishte i magjepsur nga Napoleoni, “një poltikan i talentuar, një burrë ushtarak, i cili nuk mund të fajësonte askënd për rënien e vet përveç vetvetes”. Pika-kzçe për jetën tonë njerëzore, sipas tij, janë emocionet. Janë ato që na mbajnë apo na çojnë diku, jo intelekti ynë, njohuritë dhe edukimi ynë, megjithëse janë të gjitha gjëra të shumëpërdorshne, por që fatkeqësisht “vendosin” vetëm për vendime të padobishme. “Kur vërtet vjen çasti “të përtypemi”, është emocioni që gjithmonë na udhëheq. Fatkeqësisht është kështu”, - thotë Jan, ndërsa perifrazon në këtë mënyrë mendimet e Kubrick, të cilat natyrshëm i ka ndarë edhe në filma. “Kubrick nuk e përjashton veten nga kjo. Mbase nëse ai trembej nga diçka, ishte se ai vetë mund të binte viktimë e emocioneve të tij”, - vijon. Pikërisht në këtë linjë ai e interpreton edhe filmin e njohur “Eyes Wide Shut”.

“Në këtë film keni një qytetërim të ardhshëm, që është i pandryshuar në esencën thelbësore të ekzistencës sonë, ne të gjithë fishkemi si lulja, pa diell dhe ujë, kur nuk kemi aftësinë të duam ose nuk jemi të dashuruar. Është absolutisht një pjesë thelbësore e ekzistencës sonë të lumtur dhe nuk ka zgjedhje, ne nuk jemi të lirë të largohemi nga kjo apo ta pranojmë ose jo. Ne varemi prej saj. Nuk ka rëndësi se sa mirë e justifikojmë dhe arsyetojmë intelektualist, kthehemi kundër kësaj apo e mohojmë; është e vërtetë. Stanley shpresoi shumë ta “pushtonte” këtë gjë në këtë film, duke përdorur metoda indirekte, siç shpesh ka bërë. Më 2001 solli një shembull perfekt që duhet nderuar, para të cilit duhet të përkulet çdo krijues i panjohur në univers. Ai nuk ishte aspak një njeri fetar, por ishte plot respekt për krijimin e universit, pafundësinë e tij, për tërë qartësinë që kjo gjë ishte më shumë sesa thjesht vetja e tij. Ai e dinte kush ishte dhe çfarë ndiente dhe gjithmonë u jepte njerëzve lirinë për të interpretuar filmat e tij si të donin, dhe e pranonte këtë”, - vëren Harlan.

Duke mos u ndalur vetëm te Kubrick, por edhe te Spielberg, producenti i vlerëson ata si “artistë të mëdhenj të brezit të tyre”. “Mund t’i krahasoj me Pikason apo Ingrid Bergman”, - vëren ai, ndërsa shton se Kubrick ishte pa dyshim një artist i jashtëzakonshëm, që vështirë të kënaqej me punën e tij.

“Ishte i kujdesshëm dhe i shkëlqyer dhe unë u argëtova të punoja me të për mbi 30 vjet”.

Jan Harlan ka qenë producent ekzekutiv i shumë filmave të Kubrick, si: “Barry Lyndon”, “The Shining”, “Full Metal Jacket” dhe “Eyes Wide Shut”, si dhe producent i “Artificial Intelligence - AI” (2001), një bashkëpunim midis Steven Spielberg dhe Kubrick. Pas ndarjes nga jeta të Kubrick, Harlan realizoi një dokumentar për të, “Stanley Kubrick: A Life in Pictures” (2001).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›