E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e palavdishme e Krenarit

>Nga Xheladin ÇELMETA  
Dy ditë më parë, gazetat anonçuan lajmin e pezullimit nga detyra të shefit të Policisë së Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, për shkak të një përplasjeje me eskortën e Kryeministrit. Hollësi nuk jepen... Nuk ka kaluar shumë kohë, kur përsëri në media u publikua e plotë një seancë  gjyqësore në ngarkim të tij, zhvilluar në gjykatën e Tiranës. Dëshmitarë të pranishëm në një tjetër përplasje të paradokohshme të kryeinspektorit të Qarkullimit, me një tjetër person në detyrë, jepnin me detaje dëshmi të regjistruara besnikërisht nga vendngjarja. Për të qenë konkret, dua të theksoj se në tre dëshmitë e bëra publike nga qytetarët e pranishëm në këtë ndodhi, është pasqyruar e plotë e gjithë situata e dialogut mes njeriut me uniformë dhe palës tjetër, por edhe e dëshmitarëve. Për kureshtje, kam nënvizuar ekzaktësisht të gjitha frazat e përdorura nga Krenari. Konstatimi: Në 18 frazat e dala nga goja e tij në këtë incident, (se vëmë ne diskutim që ka qenë e  padëshiruar), 12 fjalë janë tejet fyese, banalitete e zhargon rruge; të denja për një person të rëndomtë rural Kurrsesi nuk do të dëshiroja të tregohesha kaq strikt në këtë aspekt, se fundjanjerëz jemi. Por, për rastin në fjalë gjykova se duhej. Askush nuk  besoj se do të shprehë ndonjë lloj kënaqësie se ikën nga detyra Krenar Ahmeti. As ata që e patën palë kundërshtare, as ata që e mbështetën (besoj me të drejtë) mediatikisht, kur kryepolici i Qarkullimit sulmohej nga ndonjë segment i caktuar i politikës. Mendoj se më e rëndësishme tani do të ishte të dilte qartë në dukje morali i kësaj fabule urbane, nëse do të shpreheshim kështu.  Do të ishte shumë më e rëndësishme të analizohej fakti se si sillemi ne, opinioni qytetar, me ata që kemi në krye të punëve të shtetit, me qëllimin e vetëm; për të na shërbyer.
Natyrisht, këtu sbëhet fjalë që komuniteti të  emërojë njerëz nëpër detyra(!), pasi kjo dihet, që është punë e institucioneve që merren me personelin, me standardet që duhet të garantojnë njerëzit në karrierë, si Krenari apo çdo polic e ushtarak tjetër në detyrë. Tjetërkund është fjala: A reagojmë drejt, ne pjesëtarët e komunitetit, ne zëri qytetar, qoftë për rastet kur këta njerëz, këta shërbenjës të ligjit gabojnë, qoftë për rastet e tjera kur bëjnë vepra heroike!?. A kemi guximin e duhur për ti denoncuar (në rastin e parë) dhe për ti shpërblyer(në rastin e dytë)? Apo u lemë hapësirë të plotë aksesorëve politikë e atyre mediatikë, që për interesat e tyre shumë herë meskine, i mitizojnë ata për aq kohë sa u duhen dhe më pas i flakin tej, si një limon i shtrydhur? Kam parasysh këtu raste të tjera me të tilla fabula me moral të dyfishtë, si; karriera e Edmond Kosenit, dikur ish-shef i komisariatit të Elbasanit, apo ajo e Mithat Havarit, ish-kreu i policisë Ndërtimore pak vite më parë, e ndonjë tjetri. Kur Krenar Ahmeti, ky nëpunës shteti i njohur për përformancën e spikatur policore, sidomos gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, u pezullua përkohësisht para disa muajsh, një e përditshme i kushtoi një faqe të tërë shkrimin me titull të madh Të mbrojmë Krenarin. Por ndërkaq, në një rast tjetër, kur ai duhej dhe të kritikohej, askush nuk tha: Ndaljani vrapin Krenarit!. Jetojmë në një vend, ku njeriu më shumë se kudo tjetër duhet të ecë me këmbë në tokë. Kjo, si për qytetarin, që duhet të zbatojë përpikmërisht ligjet, ashtu edhe për nëpunësin e shtetit, atë që është vënë në pozicionin përkatës të punës për të mbrojtur ligjet. Vend për mite, për kreshnikë e dragonj nuk ka. Në gjithë këtë parashtrim që bëmë, një gjë është e qartë: Populli i thjeshtë, kurrë nuk do të dëshironte që të përfundonte keq karriera e ndershme e kujtdo nëpunësi, qoftë ajo e Krenarit, apo e ndonjë tjetri. Nëpunësit e shtetit, janë bij të këtij populli. Normalisht pra, atij, popullit, çdo njeriu do ti dhimbsej karriera, puna, përkushtimi, por edhe familja e x punonjësi a rrogëtari shtetëror. Madje do të shtonim se aq më e ndjeshme bëhet kjo, kur flitet për një punonjës policie, të cilit i duhet të përballet çdo ditë me vështirësitë e detyrës, për vendosjen e rregullit e ligjit në vend ende me shumë probleme.
Last Updated on Tuesday, 13 January 2009 21:47

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›