GAZË – Izraeli godet spitalin Al-Ahli duke detyruar evakuimin, ndërsa sulmet intensifikohen

GAZË, 13 prill / ATSH/ – Izraeli goditi një spital në Gazën veriore herët në mëngjes, duke i detyruar pacientët të evakuohen ndërsa sulmet u intensifikuan, sipas AP.
“Sulmi para agimit goditi Spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës, pasi Izraeli lëshoi një paralajmërim evakuimi”, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. “Një pacient vdiq gjatë evakuimit pasi stafi mjekësor nuk ishte në gjendje të ofronte kujdes urgjent”, tha ministria.
Spitali, i drejtuar nga Dioqeza e Jerusalemit, u sulmua të Dielën e Palmës, e cila përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem.
“Disa orë më vonë, një sulm i veçantë në një makinë në Deir al-Balah në Gazën qendrore, shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë njerëzve – gjashtë vëllezërve dhe miqtë e tyre”, sipas stafit në morgun e Spitalit të Martirëve Al-Aksa.
Izraeli tha se kishte goditi një qendër komandimi dhe kontrolli të përdorur nga Hamasi në spital – për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë, pa dhënë prova.
Forcat izraelite thanë se përpara sulmit, ishin marrë hapa për të zbutur dëmin, duke përfshirë lëshimin e paralajmërimeve dhe përdorimin e municioneve të sakta dhe mbikëqyrjes ajrore.
Sulmet erdhën disa orë pasi ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha se aktiviteti ushtarak do të zgjerohej me shpejtësi në të gjithë Gazën dhe se njerëzit do të duhej të evakuoheshin nga “zonat e luftimit”.
Izraeli gjithashtu njoftoi dje përfundimin e korridorit Morag, duke shkëputur qytetin jugor të Rafahut nga pjesa tjetër e Gazës, me ushtrinë që tha se së shpejti do të zgjerohej “vrullshëm” në pjesën më të madhe të territorit të vogël bregdetar.
Autoritetet izraelite janë zotuar të bëjnë presion ndaj Hamasit për lirimin e 59 pengjeve të mbetura – 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë – dhe të pranojë kushtet e reja të propozuara të armëpushimit. //a.i/