GAZË – Të paktën 20 të vdekur pas sulmit izraelit në Khan Younis

TEL AVIV, 16 dhjetor /ATSH-DPA/- Rreth 20 persona u vranë gjatë një sulmi ajror izraelit në një ish-ndërtesë shkolle në Rripin jugor të Gazës, thanë sot burime palestineze.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi se mes viktimave kishte edhe fëmijë.
Në të kundërt, ushtria izraelite deklaroi se sulmi i djeshëm në mbrëmje kishte në shënjestër një qendër komandimi dhe kontrolli të terroristëve të Hamasit.
Ata pretenduan se këta individë kishin vepruar nga ndërtesa e ish-shkollës në të ashtuquajturën zonë humanitare në Khan Younis.
Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Shkaku i konfliktit të Gazës ishte masakra nga terroristët palestinezë nga brezi bregdetar më 7 tetor 2023, në Izrael, që rezultoi në 1200 të vdekur dhe më shumë se 250 rrëmbime.
Që atëherë, Izraeli ka luftuar kundër lëvizjes islamike palestineze Hamas në Gazë, ku sipas burimeve palestineze, deri më tani janë vrarë rreth 45 000 njerëz. Këto shifra nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. //a.i/