Është fodullëk tej mase, le të flasin shkencëtarët
Për centralin atomik, së pari le të flasin kompetentët, jo politikanët. Ka shkencëtarë brenda dhe jashtë këtij vendi që i dinë më mirë se ne dhe se Berisha këto gjëra.
Problemi është serioz. Nuk zgjidhet as me histerizëm konferencash shtypi, as me ulërima e sharje si fiset primitive. Nuk ngrihet central i tillë nëse nuk ka kushte sigurie, kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar.
Ne kemi një qeveri që nuk na mbrojti dot nga predhat e Gërdecit, kështu që kemi të drejtë të jemi shumë dyshues. Për atë mjedis të ndotur në Gërdec, askush nuk po mundet të na thotë se kur do pastrohet e kur do zhduken efektet. Atëherë si mundet një doktor të flasë me siguri për efektshmëri centralesh atomike, duke na dhënë të vetmin argument, se na ia paska kërkuar Silvio Berluskoni, që qenka mik i tij dhe luan i gadishullit? Ç’janë këto budallallëqe?Këtë lloj politike le të shkoj ta bëjë në ndonjë katund Berisha, por në mes të Tiranës duhet t’i tregoni vendin, ju burrat e mençëm të mediave, të opozitës dhe të vetë PD-së në daçi.
Kjo që bën Saliu është fodullëk tej mase. Edhe sikur me tapi ta kishte Shqipërinë Berisha, nuk duhet t’ia lejonte vetes të fliste kështu.