GJND: Pavarësia e Kosovës është legjitime, nuk shkel të drejtën ndërkombëtare
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vlerësuar shpalljen e pavarësisë të Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 plotësisht të ligjshme dhe si pasojë nuk shekl të drejtën ndërkombëtare. Presidenti i gjykatës, Hisashi Ovada në fjalën e tij tha se e drejta ndërkombëtare nuk pengon shpalljen e pavarësisë nga një vend që ka qenë i nënshtruar nga regjimi i një vendi tjetër. “Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk pengon shpalljen e pavarësisë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme”, ka deklaruar presidenti Ovada, i cili me këtë rast theksoi se Rezoluta 1244 po ashtu nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Gjykata, rrjedhimisht, ka arritur në përfundimin se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, nga shpallja e deklaratës së pavarësië nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, tha presidenti i gjykatës, Hisashi Ovada. Sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dalë në mendimin se Deklarata e Pavarësisë nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. “Gjykata ka dalë në mendimin se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”, tha zoti Ovada.
Ai tha se gjykata këtë vendim e mori 10:4. Para dhënies së vendimit përfundimtar, Ovada është shprehur se popullsia e Kosovës ka të drejtë të krijojë një shtet të pavarur për vetëvendosje. Presidenti ka theksuar gjithashtu se OKB-ja mbështet plotësisht parimin e integritetit territorial, por ka nënvizuar se ky parim është i kufizuar në bazë të raporteve mes shteteve. Ai ka shtuar më tej se pavarësinë nuk e pengon as rezoluta 1244, e cila kishte si qëllim të merrej më situatën që ishte në Kosovë. Vendimi paraqet goditje të madhe për Serbinë, meqenëse tani ekzistojnë mundësitë që opinion i GJND-së të ndikojë pozitivisht që tepër vende ta njohin pavarësinë e Kosovës. Deri tani, Kosovën e kanë njohur 69 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 22 prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Dy ditë më parë, SHBA-të bënë të ditur se kanë përgatitur një plan të ri, i cili parashikon njohjen e Kosovës edhe nga 40 shtete të tjera.
BE-ja dhe SHBA-të mirëpresin vendimin e GJND-së për Kosovën
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshëmrinë e pavarësis së Kosovës. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për dialog si dhe për synimin e tyre ndaj anëtarësimit në Union. Eshton theksoi se Bashkimi Europian e përshëndet vendimin jo detyrues të GJND-së, sipas të cilit, pavarësia e Kosovës nga Serbia, në vitin 2008, nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “BE-ja është e gatshme ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Eshton dhe shtoi se “ky dialog do të promovonte bashkëpunim, do të arrinte progres në rrugën evropiane dhe do ta përmirësonte jetën e njerëzve”. Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Filip Krouli, nëpërmjet një deklarate për media tha se SHBA-të e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe ka kërkuar nga vendet europiane që të “bashkohen” me këtë vendim. “Vendimi i GJND-së fuqishëm thekson se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është legale, dhe këtë ne e mbështesim”, i tha Krouli.
Moska kundërshton vendimin: Pozicioni rus ndaj Kosovës, i pandryshueshëm
Pozicioni i Rusisë kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. “Pozicioni ynë për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm. Ne mendojmë se zgjidhja e çështjes së Kosovës mund të arrihet vetëm me negociata ndërmjet palëve të interesuara”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Edhe më herët autoritetet ruse janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, duke shprehur në mënyrë të qartë mbështetjen për Serbinë, e cila pretendon bisedime për statusin me Kosovën.
OKB u bën thirrje palëve: “Pa hapa provokativë pas GJND-së”
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Bak Ki Mun, ka tërhequr vërejtjen kundër çfarëdo hapave “provokativë”, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës ishte legjitime. “Sekretari i përgjithshëm kërkon nga të gjitha palët, t’u shmangen çfarëdo hapave, që mund të shihen si provokues dhe që e shkatërrojnë dialogun”, tha Martin Nesirky, zëdhënës i zotit Ban Ki Mun. Sekretari i përgjithshëm do ta dërgojë vendimin e GJND-së për Kosovën, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar mendimin e gjykatës për pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të përcaktojë se si do të veprohet më tej me këtë çështje.
23 Korrik 2010