E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i GJND-së, Hyseni: “Tashmë, të barabartë me Serbinë, presim njohje të reja



Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë të Kosovës është mirëpritur nga kreu i diplomacisë kosovare Skënder Hyseni, ndërkohë që është komentuar si fillimi i një beteje të ashpër, nga ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Dy ministrat përfaqësuan vendet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare dhe menjëherë pas vendimit janë prononcuar për mediat.
Hyseni
Ministri kosovar është shprehur se, ashtu siç pritej, GJND-ja konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe shteti i ri mund të konsiderohet i barabartë me shtetet e tjera. Sipas tij, Kosova është në pritje të njohjeve të reja dhe për këtë arsye, shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë duhet të vendosin sa më parë. “Gjykata konstatoi, me shumicë dërrmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit, i qartë dhe nuk lë vend për dyshim. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat. Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen”, është shprehur Hyseni pas vendimit të GJND-së. Sipas ministrit kosovar, pavarësia tashmë është një realitet i pakonstatueshëm dhe i paprecedent. “Nuk ka asgjë në mendimin e dhënë nga Gjykata që hedh çfarëdo dileme rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës, tashmë një realitet i pakontestueshëm. Shihet qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent. Kosova është dhe gjithnjë ka qenë një rast i veçantë. Pavarësia e Kosovës është në interes të të gjithë Ballkanit Perëndimor”, mësohet të ketë thënë Hyseni. Sipas tij e ardhmja e Kosovës, por edhe e Serbisë është në BE dhe në NATO. “E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Europian dhe në NATO. Për këtë arsye, duhet të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Këtë e kërkojmë ne. I takon Serbisë tani që të jetë në nivel të përgjegjësive”, thekson ministri Hyseni. “Duam të ritheksojmë gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar çështje praktike të interesit të ndërsjellë me Serbinë. Çfarëdo bisedash me Serbinë, duhet të jenë mbi baza të barabarta, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë kosovare
Jeremiç
Ndërkohë ministri i jashëtm serb Jeremiç, i cili ishte i pranishëm në seancën e GJND-së për Kosovën, menjëherë pas shpalljes së vendimit u shpreh se Beogradi nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. “Serbia do të vazhdojë me luftën paqësore diplomatike për Kosovën”, ka thënë Vuk Jeremiç, për të shtuar se vendimi i hap rrugën një beteje të rëndë.“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur që të deklarohet vetëm për aspektin teknik të deklaratës së pavarësisë dhe praktikisht ka shmangur deklarimin për çështjen esenciale nëse shqiptarët e Kosovës kanë pasur të drejtë të shkëputen nga Serbia”, ka thënë Vuk Jeremiç. Shefi i diplomacisë serbe ka pohuar se tashmë çështja do të shkojë në Kuvendin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që do t’i japë përfundim politik kësaj çështje.

Sejdiu: “Ishim të bindur për të drejtën tonë”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka përshëndetur vendimin e GJND-së, duke e vlerësuar atë të drejtë për shpalljen e pavarësisë. Në një deklaratë për shtyp të mbajtur pas shpalljes së vendimit, Sejdiu ka deklaruar se tani Kosova do të dalë me një qasje të re për të bashkëpunuar me Serbinë. “Kosova ishte e bindur për të drejtën e saj. Tani ne do të dalim me një qasje të re për të bashkëpunuar me Serbinë. Shpresojmë që presidenti Tadiç të heqë dorë nga qëndrimet e tij”, ka pohuar Sejdiu.
Kreu i shtetit kosovar ka shtuar më tej se vendimi i gjykatës së Hagës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ballkan. “Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e popullit për vetëvendosje”, tha presidenti Sejdiu, duke shtuar se mendimi këshillëdhënës i GJND-së u hoqi dilemat edhe vendeve që nuk e kanë njohur deri më sot pavarësinë.

Thaçi: “Opinioni i GJND-së është fitore për rajonin”

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi e ka vlerësuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si historik dhe të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur të Kosovës. Ai tha se askush nuk duhet të ndihet humbës, pasi mendimi këshillëdhënës i GJND-së sipas tij është fitore për Kosovën dhe për të gjithë rajonin. Kryeministri tha se GJND-ja vërtetoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ua hoqi dilemat edhe atyre shteteve që deri më tani kishin hezituar të njohin të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje. Ky vendim sipas kryeministrit ishte i drejtë, historik, ndryshe nga traktatet e shekullit të kaluar dhe padrejtësitë historike që i janë bërë popullit shqiptar të Kosovës. Thaçi ftoi qytetarët të festojnë me dinjitet duke shtuar se vendimi i sotëm i GJND-së është nxitje për më shumë punë, për angazhim më të madh për qeverisje më të mirë, gjë që sipas tij çon drejtpërdrejt tek forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi: “Lajmi, i mirë për të gjitha shtetet e botës”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka përshëndetur mendimin e GJDN-së duke thënë së mendimi për legjitimitetin e pavarësisë është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, miqtë e pavarësisë së Kosovës dhe të gjitha shtetet e botës. Krasniqi, në deklaratën e tij pak minuta pas vendimit të GJND-së, ka pohuar se një vendim i tillë në favor të Kosovës ka realisht ka qenë i pritshëm, por siç tha ai nuk ka pritur që vendimi të jetë kaq bindës. “Është një ditë e rëndësishme për gjithë qytetarët e Kosovës, për institucionet e shtetit të Kosovës, për miqtë e pavarësisë shtetit të Kosovës dhe për gjitha shtetet e Botës. Vendimi i GJND-së hapë rrugën për njohje të reja dhe krijon pozicione të avancuara për Kosovën”, deklaroi Krasniqi.

Berisha përshëndet deklaratën e GJND-së: “Vendimi, historik”

Kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me pavarësinë e Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se “Gjykata e Hagës iu garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare”. Vendimin e GJND-së, Berisha e konsideroi historik dhe tha se ky fakt përbën ndër të tjera një inkurajim që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Ndërsa më tutje, kryeministri theksoi se ky vendim do të ketë kontribut në një qëndrim të ri të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Shqiptarët dhe serbët, dy kombe të rëndësishëm në rajon, që pavarësisht nga historia e shkuar kanë tani të përbashkët idealin europian”, u shpreh kryeministri Berisha.

Topi: “Vendimi i hap rrugë integrimit të Kosovës”

Vendimi i GJND-së pro pavarësisë së Kosovës është përshëndetur nga presidenti Bamir Topi, i cili sapo gjykata dha opinionin e saj pozitiv i telefonoi homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu. Në bisedën e tij me Sejdiun, presidenti Topi u shpreh se ky ishte një vendim i rëndësishëm dhe se opinioni i GJND-së do t’i hapë Kosovës rrugën e integrimit. “Opinioni i GJND-së një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimin e saj”, u shpreh presidenti Topi në telefonatën e tij me presidentin kosovar. Ndërkohë presidenti Sejdiu falënderoi homologun e tij dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Kosova ka dhënë për lobim ndaj shtetit të ri.

Meta: “Vendimi i GJND-së, rikonfirmon të drejtën për liri”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Ilir Meta u shpreh se “Mendimi i GJND-së mbi ligjshmërinë e Kosovës, i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të saj, drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një të ardhme të afërt”. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ministri Meta, përshëndeti vendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi kryesor i drejtësisë Ndërkombëtare, që konfirmon në mënyrë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Meta deklaroi se “vendimi i GJND-së për Kosovën, është edhe një rikonfirmim i të drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve kosovarë për liri dhe pavarësi.

Kreu i PS-së, Rama: “Vendimi i GJND-së, hap rrugën e njohjeve të reja”

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, duke deklaruar se ai hap rrugën për njohje të reja. “Kjo është dita e dytë më e bukur për Kosovën dhe Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt. GJND-ja shpalli një vendim që i hap rrugë njohjes së mëtejshme të Kosovës”, ka pohuar Rama. Lideri i opozitës ka theksuar se organi më i lartë gjyqësor në botë u dha fund dilemave mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. “Të gjithë kemi qenë të bindur se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe GJND e sanksionoi këtë bindje. Në emër të opozitë shqiptare shpreh kënaqësinë për vendimin e dhënë nga GJND-ja”, është shprehur kryesocialisti Rama.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›