E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Drafti për SHISH-in prish marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-të”



Eneida Jaçaj - Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje dje kryeministrit Sali Berisha të tërheqë menjëherë projektligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit. Rama nënvizoi se miratimi i projektligjit për SHISH-in cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-të. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha po kërkon të fusë nën sqetull edhe shërbimin sekret të këtij vendi në kundërshtim me vullnetin e NATO-s. Reagimi i kryetarit të PS-së erdhi si rezultat i debateve të forta dje në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës për ndryshimet në ligjin e SHISH-it.
Apeli
“Apeli im është që jo vetëm si kryetar i opozitës, por edhe si ideatori e nxitësi i vetëm i ndryshimeve të papranueshme në projektligjin për SHISH-in, ta tërheqë atë projekt jo thjesht nga seanca parlamentare, por njëherë e mirë. Madje ta hedhë në kosh, për të mos e kthyer më për një herë të tretë, pasi e tërhoqi herën e parë nën presionin e partnerëve dhe duhet ta tërheqë përsëri sot në emër të interesit kombëtar, të përkatësisë ndaj NATO-s e sigurisht, edhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - u shpreh Rama, duke vijuar: “Sali Berisha tërhiqe njëherë e mirë këtë mollë sherri e fute nga e ke nxjerrë, sepse Shqipëria nuk ka sherr për të bërë as me NATO-n, as me Shtetet e Bashkuara dhe nëse një herë e fute Shqipërinë në qorrsokak duke i hapur luftë Amerikës, këtë herë nuk do dalësh dot më nga qorrsokaku ku do mbetesh vetëm”. Sipas tij, interesi i kryeministrit Berisha është të vendosë kontroll të plotë mbi SHISH-in. “Është e lehtë të kuptosh pse Sali Berisha e dëshiron kontrollin e shërbimit sekret kur është fjala për çka ka të bëjë me ne këtu, në këtë vend të marrë peng e të zhytur në krizë të gjithanshme, për shkak të marrëzisë e të babëzisë së pushtetit të vjedhur të 28 qershorit”, - tha Rama.
Konflikti
Drafti në fjalë, përveç uzurpimit të shërbimeve informative nga qeveria cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-të. Rama theksoi se NATO-ja dhe SHBA-ja nuk kanë interes që të bëhen këto ndryshime nëpërmjet ligjit të ri për SHISH-in, madje ato ndjehen të cenuara. “Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se çfarë forcash e shtyjnë Sali Berishën t’u bjerë ndesh me këto ndryshime edhe NATO-s edhe Shteteve të Bashkuara, që jo vetëm nuk i dëshirojnë ndryshimet e këtij projektligji, por ndjehen të cenuar në një interes të madh strategjik, pikërisht për shkak të pasojave të këtyre ndryshimeve”, - theksoi Rama, duke shtuar se “koha mbase do të na ndihmojë ta kuptojmë këtë shfaqje arrogance provinciale ndaj atyre pa të cilët jo vetëm vendi ynë i vogël, por as Europa e madhe nuk do ishte sot kjo që është.

box
Topalli: “E garantoj Ramën se ligji për SHISH-in do të miratohet”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mban një qëndrim imponues ndaj kreut të PS-së, Edi Rama duke e garantuar atë se ligji për SHISH-in do të kalojë për miratim.
"Maxhoranca hedh poshtë diversionet e pista të Edi Ramës dhe garanton atë se ligji për SHISH-in do të kalojë", - u shpreh Topalli. Sipas saj, kreu i opozitës po kërkon të pengojë funksionimin normal të Kuvendit, duke shtuar se falë reformave të bëra, vendi është anëtarësuar në NATO dhe po bën hapa përpara në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE. Topalli tha se Rama është ai që ka penguar integrimin e Shqipërisë në BE, duke lobuar kundër interesave të vendit. Topalli nënvizoi se Rama duhet ta shohë mirë pozicionin e tij në raport me NATO-n, pasi në kohën kur maxhoranca kalonte reformat që sollën anëtarësimin, deputetët e opozitës i binin bilbilave në sallën e Kuvendit. "Tani nuk do i bini vuvuzelave", - u shpreh Topalli, duke iu drejtuar socialistëve.

Kundërshtimet
Rasmusen: “Qeveria shqiptare duhet të hartojë ligje në përputhje me NATO-n”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, lidhur me ligjin e ri për SHISH-in ka theksuar në Tiranë se qeveria shqiptare duhet të hartojë ligje në përputhje me rregullat e NATO-s. “Së pari dua të konfirmoj që unë kam pasur një telefonatë me kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndër mend të komentoj për çështjen e shërbimit sekret ose të sigurisë. Së fundi, më lejoni të theksoj se kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s”, - është shprehur Rasmusen. Madje, ai i ka telefonuar kryeministrit Sali Berisha të mos kalojë në votim këtë ligj duke i kujtuar detyrimet e NATO-s.

23 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›