E Diel, 1 Nëntor 2026

GJND: Pavarësia e Kosovës legjitime

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara sapo dha opinionin e saj, duke thënë se deklarimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008 nuk shkeli ligjin ndërkombëtar. Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hiasashio Ovaada, tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara. Në këtë aspekt, ai ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimeve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it e të tjera. Sipas tij, shpallja e pavarësisë është proces politik dhe jo ligjor. Pro mendimit se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur asnjë dokument të së drejtës ndërkombëtare, kanë votuar 10 anëtarë të Gjykatës, ndërkaq 4 kanë qenë kundër. “Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se Rezoluta 1244 paraqet ndalesë për shpalljen ose është kundër shpalljes. Nuk mund të rrjedhë një gjë e tillë nga gjuha që kuptohet në këtë kontekst. Rezoluta 1244 është në këtë aspekt dykuptimëshe dhe objekti dhe qëllimi i rezolutës është krijimi i një administrate të përkohshme”, ka thënë Ovada. Sipas tij, asnjë dispozitë e të drejtës ndërkombëtare nuk është shkelur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ovadak ka thënë se gjykata tashmë ka vlerësuar se deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk ishte nxjerrë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes. “Autorët e deklaratës së pavarësisë nuk obligoheshin nga kompetencat dhe përgjegjësitë e Kornizës Kushtetuese. Prandaj gjykata konsideron se deklarata e pavarësisë nuk e ka shkelur Kornizën Kushtetuese”, ka thënë ai. Paraprakisht kryetari i Gjykatës ka paraqitur një pasqyrë të të gjitha ngjarjeve që i kanë paraprirë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke nisur që nga vendosja e misionit të OKB-ve në Kosovë dhe vendosja e KFOR-it dhe organizatat tjera. Ovada ka theksuar se shpallja e pavarësisë e pasqyron atë se negociatat për statusin përfundimtar kanë dështuar dhe kjo përcaktohet edhe në preambulën e deklaratës, ku i referohet viteve të negociatave të sponsorizuara nga ndërkombëtarët. Duke lexuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presidenti Hisashi Ovada tha se "e drejta ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalesë në deklarimet e pavarësisë", raporton AP. Vendimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk është detyrues. Por analistët thonë se një vendim që mbështet Kosovën mesa duket do të bëjë që më shumë vende të tjera ta njohin pavarësinë e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›